Site icon Telegrafi

Maqedonisë i duhen mbi 80 milion euro, do të merr borxh të ri nga kreditorët vendorë

Foto: Arkiv

Mbi 80 milionë euro është huamarrja e re e shtetit në tregun e brendshëm. Dy obligacione të reja shtetërore janë të listuara në bursë. Njëri është pesëvjeçar me vlerë mbi 24 milionë euro, ndërsa tjetri 15 vjet me vlerë afër 60 milionë euro. Normat e interesit janë 4.2 dhe 5.6 për qind.

Huamarrja shënohet edhe në kalendarin e publikuar në faqen e Ministisë së Financave, prej ku thonë se është sipas planit për këtë vit dhe sigurimi i parave të nevojshme në tregun vendas është ende më i lirë.

“Qëllimi i Ministrisë së Financave është që në këtë periudhë të sigurojë mjete me kushte të favorshme në tregun vendor, duke pasur parasysh kamatat e larta në tregun e financave ndërkombëtare”, thonë nga ministria.

Por nga kalendari shihet se paralelisht me huamarrjen e re, dje shteti është dashur të kthejë mbi 26 milionë euro. Dhe pas rreth 20 ditësh, ka një borxh të ri, i cili gjithashtu duhet të shlyhet.

Edhe në tre muajt e ardhshëm, shteti do të marrë hua bono të reja shtetërore në tregun e brendshëm. Por gjithashtu do të duhet të paguhet. Më shumë se 143 milionë euro do të paguhen në prill, maj dhe qershor.

Shteti planifikon të mbledhë para të reja nga qytetarët. Sipas kalendarit, një obligacion i ri civil duhet të publikohet këtë muaj, por edhe në korrik./Telegrafi/

Exit mobile version