Sot në Shkup është mbajtur promovimi i projektit GEFF (Green Energy Efficiency Financing Facility) për ekonomi të gjelbërt. Ky projekt prej tetë milionë eurosh do të zbatohet nëpërmjet bankave “Ohridska Banka” dhe “Sparkasse Banka” që do të menaxhojnë fazën e parë të projektit, ndërsa faza e dytë do të financohet nga dy banka tjera të Maqedonisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Projekti financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Anca Ioana Ionescu nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Maqedoni tha se me këtë program do të tentohet zbatimi i efikasitetit energjetik në gjitha vendet e interesuara.
“Me këtë program ne tentojmë zbatimin e efikasitetit energjetik në gjithë vendet e interesuara. Falënderoj autoritetet e Maqedonisë për bashkëpunimin. Me këtë projekt ne inicojmë një të ardhme më efikase në vend. Falënderoj bankat partnere dhe shpresoj se edhe tjerat do të na mbështesin”, tha Anca Ioana Ionescu nga BERZH Maqedoni.
Ndërsa shefi i zyrës së BE-së në Maqedoni u shpreh i lumtur për këtë projekt dhe tha se do të investojnë edhe më shumë.
“Jam i lumtur që sot e nisim këtë projekt. Jemi duke bindur qytetarët që të ambientohen me kushte efikase. Kjo do të ndodh me bashkëpunimin e jashtëm dhe të brendshëm. Ne duhet të investojmë edhe më shumë. Falënderoj të gjithë që e mundësuan këtë nismë”, tha Nicola Bertolini, shef i zyrës së BE-së në Maqedoni.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe zv.kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, i cili tha se Qeveria e Maqedonisë e ka prioritet dhe përgjegjësi që t’ju tregojë qytetarëve se çka është më mirë.
“Unë do të doja të them se Qeveria ka prioritet dhe përgjegjësi për të ju rrëfyer çka është e mirë. Çdo euro që investohet në efikasitet energjetik do të thotë 2.20 euro prodhim energji elektrike. Maqedonia e ka planifikuar që në disa vite të ardhshme të ulë për 14% e prodhimit të energjisë elektrike. Maqedonia do të ndjek vendet e zhvilluara në tranzicion energjetik”, deklaro mes tjerash Koço Angjushev.
Nina Nedanoska nga “Ohridska Banka” deklaroi se ata çdo herë kanë qenë të gatshëm për projekte të tilla.
“Ne si bankë gjithmonë kemi qenë të gatshëm për projekte të këtilla. Ishim të suksesshëm në projektin për mbështetje të transportit alternativ. Ne jemi krenar që zbatojmë këtë projekt për ekonomi të gjelbërt. Në të ardhmen do të veprojmë edhe në projekte tjera të kësaj fryme”, tha Nedanoska.
Kurse nga “Sparkasse Bank” që është partnerë në këtë projekt, thanë se është privilegj për ta të jenë pjesëmarrës në këtë projekt dhe inkurajuan familjet të shftytëzojnë këtë mundësi.
“Sot është privilegj të jemi këtu, për të ndihmuar këtë projekt në vendin tonë. Vlera e mbështetjes sonë për këtë projekt është e madhe pasi ndikojmë në shoqëri. I inkurajoj familjet që të shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Gligor Bishev nga “Sparkasse Bank”./Telegrafi/