Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë së Veriut pasditen e sotme niset drejt Pragës së Çekisë, aty ku të shtunën do të luajë ndeshjen ndaj Ukrainës në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2024.
Reprezentuesi shqiptar, Visar Musliu ka folur për mediat, duke thënë se dy ndeshjet e muajit të kaluar, iu kanë dhënë vetëbesim, ku ndaj Ukrainës pretendojnë të marrin fitore dhe tre pikë të reja.
“Duke pasur parasysh kualitetin e kundërshtarëve tanë në grupin tonë, padyshim që pikët janë të mirëseardhura për ne. Me kualitetin që posedojmë, besojmë se mund të arrijmë deri te këto tre pikë që janë shumë kryesore në garën për kualifikim”.
“Pas disa rezultateve zhgënjyese dhe pastaj dy ndeshje mjaftë të mira nga ana jonë dhe rezultatet ishin mjaftë pozitive, kemi besim të plotë dhe jemi shumë pozitiv se mund të arrijmë deri te fitorja e radhës”, ka thënë Musliu.
Përfaqësuesja e vendit nga e hëna ka zhvilluar përgatitjet në Shkup, përderisa nesër do të ketë edhe stërvitjen zyrtare para takimit të së shtunës, i cili do të luhet në stadiumin “Epet Arena” të Pragës, duke nisur nga ora 15:00. /Telegrafi/