Sot, me fillim nga ora 07:00 deri në ora 19:00 në Maqedoni qytetarët duhet të vendosin për të ardhmen e vendit në referendumin më të rëndësishëm në histori të shtetit, për emrin e Maqedonisë që me Greqinë është vendosur që të jetë: Maqedonia e veriut.
Ky referendum do të ketë një pyetje: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?
Në këtë referendum të drejtë vote kanë më shumë se 1.8 milionë qytetarë në Maqedoni dhe në diasporë ku u votua dje, në përfaqësitë diplomatike.
Për të qenë i suksesshëm referendumi duhet që të dalin në proces 50%+1 votues nga lista zgjedhore, apo rreth 903 mijë qytetarë.
Për të vendosur qytetarët për njërin nga dy opsionet, “PËR” apo “KUNDËR” duhet që njëra palë të ketë 50%+1 votë më shumë se opsioni tjetër.
Të gjithë partitë shqiptare së bashku me bllokun e partive të koalicionit me LSDM-në e Zoran Zaevit janë deklaruar PËR dhe kanë bërë fushatë.
Partia më e madhe opozitare OBRM-PDUKM, ka vendosur që mos të ketë qëndrim, duke ju thënë mbështetësve që të veprojnë vetë, “duke dëgjuar zemrën dhe arsyen”
Dje ka pasur votim për të burgosurit, personat e palëvizshëm dhe për diasporën.
Në diasporë dalja ka qenë e zbehtë dhe me shumë probleme gjatë procesit.
Jo më shumë se 35% nga lista e të paraqiturve për të votuar në diasporë kanë dalë dhe kanë votuar dje nëpër gjithë kryeqytet e botës.
Nëpër burgjet e Maqedonisë ka pasur dalje relativisht të madhe, apo 64.69% nga 1558 persona të regjistruar për të votuar.
Personat e palëvizshëm kanë votuar në shumicë, pra 1520 vota nga 1859 të regjistruar.
Gjithësejt, sot në Maqedoni do të votohet në 3478 vendvotime, si pjesë e 80 komunave.
Telegrafi Maqedoni do të ju mbajë të informuar në çdo moment për çdo ngjarje. /Telegrafi/