Site icon Telegrafi

Maqedonia shumë pak fiton nga turizmi

Maqedonia fiton në vit nga turizmi vetëm 270 milionë dollarë, për shkak të mungesës së ofertës më të llojllojshme turistike dhe kapaciteteve të dobëta akomoduese. Bile, rezultate më të mira në fushën e turizmit arrin edhe Bosnje e Hercegovina me fitim prej 700 milionë dollarë., shkruan gazeta KOHA.

Në vitin e kaluar Maqedoninë e kanë vizituar 860 mijë turistë. Megjithatë, edhe me këto shifra jemi larg qytetit të Beogradit, ku vetëm në vitin e kaluar kanë qëndruar më shumë se një milion turistë që kanë realizuar afër 1 milion e 800 mijë fjetje. E të mos flasim për Shqipërinë, që falë detit, në vitin e kaluar e kanë vizituar afër 2 milionë turistë ose për Bullgarinë që vitin e kaluar e kanë vizituar 800 mijë turistë vetëm në sezonin e dimrit. Të gjitha këto shtete realizojnë të ardhura prej turizmit më të mëdha se një miliardë euro. Destinacionet më të shpeshta që i frekuentojnë turistët e huaj në Maqedoni janë Shkupi dhe liqenet, ku ato në mesatare flenë vetëm dy net që është më pak nga të gjitha shtetet e rajonit me përjashtim të Kosovës, që në vit ka afër 83 mijë turistë të huaj me afër 131 mijë fjetje. Pjesa më e madhe e turistëve të huaj në Maqedoni qëndrojnë transit.

Kjo, me fjalë të tjera, do thotë se ato vizitojnë vendin në kuadër të turneve ballkanike në më shumë shtete të rajonit ku përfshihet edhe Maqedonia. Akomodimi i turistëve të huaj kaq pak ditë në hotelet dhe bujtinat e ndryshme nënkupton se ato pak qëndrojnë, por edhe harxhojnë në Maqedoni, që sjell edhe të ardhura që nuk arrijnë as 300 milion dollarë në vit.

Njohësit e sektorit të turizmit thonë se kemi të ardhura të vogla nga turizmi për shkak të kapaciteteve të vogla akomoduese, infrastrukturës së keqe, si dhe mungesës së strategjisë afatgjate për zhvillimin e turizmit. Edhe pse në Maqedoni shënon rritje numri i turistëve në vitet e kaluara, megjithatë shteti akoma ballafaqohet me infrastrukturë joadekuate ku, për shembull, edhe 25 vite pas pavarësisë akoma nuk është ndërtuar autostrada ndaj Ohrit dhe Strugës, që kanë një potencial të madh për turizëm, mungojnë kapacitetet akomoduese moderne apo hotelet si në liqene, por edhe në qendrat skiatore si Kodra e Diellit, Mavrova apo Pelisteri.

Të ardhurat nga 820 mijë turistë janë 270 milionë dollarë në vitin 2016, që është për dy herë e gjysmë më pak se Bosnja e Hercegovina që gjithashtu nuk ka dalje në det, gjegjësisht ka vetëm një qytezë të vogël në det, Neumin, si qendër turistike me kapacitet shumë të kufizuara ku kryesisht verojnë turistët vendorë, por ka realizuar të ardhura prej 700 milionë dollarë. Nga ana tjetër, Shqipëria para 20 vitesh ka fituar vetëm 70 milionë dollarë nga turizmi si rrjedhojë e izolimit të shtetit, ndërsa me kalimin e kohës dhe investimet e mëdha në turizëm dhe infrastrukturë vetëm në vitin 2015 ka realizuar të ardhura prej 1,6 miliardë dollarë.

Serbia me turizmin malor, të banjave, festivalet e ndryshme, siç është ai Ekzit në Novi Sad, realizon të ardhura prej 1.3 miliardë dollarë, përcjell KOHA. Bullgaria me detin dhe turizmin dimëror në vitin e kaluar ka pasur të ardhura prej 3.5 miliardë euro, ndërsa Greqia që në 30 vitet e fundit ka shfrytëzuar fondet e Bashkimit Evropian në ndërtimin e infrastrukturës, përfiton 17 miliardë dollarë në vit nga turizmi. Sipas punëtorëve turistik, sfidë në të ardhmen e turizmit në Maqedoni është rritja e qëndrimit të turistëve jo vetëm në Shkup dhe Ohër, por edhe në viset tjera si dhe paketimi më i mirë i eventeve të ndryshme kulturore apo gastronomike në favor të tërheqjes më të madhe të turistëve të huaj.

Punëtorët turistik thonë se si shtet kemi çfarë t’u ofrojmë turistëve të huaj, megjithatë shtojnë se na nevojitet një prodhim cilësor turistik i prezantuar, por edhe i menaxhuar si duhet. Kërkohen edhe investime në kapacitetet e reja hotelerike si dhe në trajnimin e punëtorëve turistik që do mbështesin ofertën origjinale, të shumëllojshme dhe autentike turistike për këto hapësira, me qëllim që të tërhiqen turistët që të qëndrojnë më gjatë se tre ditë në Maqedoni.

Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Maqedonia për shkak se nuk ka det nuk ka kushte për turizëm masovik. Fakti se rreth 70 për qind e turizmit botëror përfshihet nga deti dhe turizmi masovik, imponon nevojën që Maqedonia të orientohet që të gjejë vendin e saj në pjesën e mbetur prej 30 për qind.

“Maqedonia mund të ofrojë turizmi si malor, alternativ, të banjave, transit apo hotelierik si turistëve vendor ashtu edhe të huaj, por nevojitet një strategji më vëllimore dhe cilësore që të ketë shfrytëzim më të madh të potencialeve tona. Deri tani turizmi i qytetit dhe liqeneve me fokus në Shkupin ishin destinacionet kryesore, por nevojitet të lëshohen klishetë për turizmin masovik dhe duhet të orientohemi në trendet e turizmit aktiv dhe pasiv me qëllim të tërheqjes së turistëve me xhep më të thellë, duke u ofruar atë turizëm që aktualisht kërkohet në botë, siç janë qendrat spa, ku ekziston potencial i madh “, thotë drejtoresha e Odës së Turizmit të Maqedonisë, Biljana Pejoska-Risteska.

Sipas saj, lidhur me objektet hotelerike, me të cilat disponon vendi, është për të përshëndetur masa për subvencionimin e hoteleve me tre yje, megjithatë si shtet na mungojnë hotele me pesë yje ku, për shembull, në rivierën e Ohrit dhe Strugës ekziston vetëm një hotel me pesë yje që mund të pranojë një numër të kufizuar të turistëve të huaj.

Në ndërkohë, turizmi dimëror në Maqedoni, përkundër potencialit të madh tërheq relativisht pak turistë të huaj dhe vendorë. Qendrat kryesore skiatore të Maqedonisë, si Kodra e Diellit dhe Mavrova, me investimet relativisht të ulëta në vitet e fundit nuk tërheqin numër më të madh të turistëve të huaj, për dallim prej qendrave dimërore në Bullgari, ku vite me radhë në sezonin e dimrit nuk mund të gjendet vend i lirë për turistët nga Maqedonia pa rezervimin paraprak.

Bullgaria po kthehet çdo vit e më tepër në një destinacion turistik të preferuar për shumë qytetarë të Maqedonisë gjatë sezonit dimëror me pakot atraktive dhe më të lira se në Maqedoni. Ndryshe, pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga shtetet e rajonit si Turqia, Serbia, Greqia, Holanda, Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova.

Exit mobile version