Programi i qeverisë së re i prezantuar nga kreu i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, i cili është në pritje të mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov, ka nxitur reagime të shumta. Ai gjatë paraqitjes para opinionit të premten tha se programi i tij garanton të ardhmen e vendit, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantik, raporte të mirë ndëretnike, gjyqësor të pavarur, zbardhjen e të gjitha proceseve gjyqësore që besohet të jenë të montuar për motive të ndryshme, e çështje tjera.
OBRM-PDUKM-ja programin e quajti “pamflet politik” që synon zbatimin e platformës së partive shqiptare të arritur në Tiranë dhe rrënimin e karakterit unitar të shtetit. Programi parasheh avancimin e gjuhës shqipe, por nga BDI-ja shprehën vërejtje se me të nuk parashihet përdorimi i shqipes në kartëmonedha dhe uniformat e policisë.
Megjithatë, njohësit e çështjeve politike, programin e shohin si hap drejt zgjidhjes së krizës, e në veçanti të asaj institucionale, me të cilin hidhen poshtë pretendimet para së gjithash të VMRO DPMNE-së, se gjoja shumica e re parlamentare synim parësor ka federalizimin, kantonizimin apo aplikimin e dygjuhësisë në shtet.
Sefer Taniri, profesor i Komunikimit në Universitetin Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se programi qeveritar i pretendentit për kryeministër, Zoran Zaev, është i bazuar në Kushtetutën aktuale dhe jo në platforma politike të hartuara jashtë vendit, siç pohon Nikolla Gruevvski.
Ai shton se reagimet e ashpra që vijnë nga VMRO DPMNE-ja nuk kanë aspak të bëjnë me përmbajtjen e programit qeveritar, porse ai përdoret nga ana e tij për të mashtruar opinionin me qëllim të zhvendosë vëmendjen nga problemet reale, e që, sipas tij janë krimet që po hetohen për zyrtarët shtetërorë, përfshirë edhe Nikolla Gruevskit.
Programi i prezantuar nga kreu i LSDM-së, sipas Nano Ruxhin, njohës i çështjeve politike dhe ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, është pro perëndimor, për zgjidhjen e problemeve të brendshme etnike, zbatimin e reformave dhe krijimin e kushteve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Edhe ai nuk beson se Gruevski do të arrijë të shkaktojë trazira të përmasave të mëdha. Ai thotë se qëllimi i grupit rreth tij, por edhe i vetë ish -kryeministrit është që ta shpëtojë veten e tij, andaj për të arritur këtë, ai mund të nxisë edhe incidente.
Zoran Zaev në paraqitjen e tij të premten tha se beson se tanimë presidenti Gjorge Ivanov nuk do të ketë dilema se kush angazhohet për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit e kush për rrënimin e tij, andaj edhe pret nga ai që sa më parë t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re mes partisë së tij, LSDM, dhe partive shqiptare.