Site icon Telegrafi

Maqedonia mes dy opsioneve – formimi i qeverisë së re apo sërish zgjedhje

Rezultati i ngushtë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, i konfirmuar edhe në rivotimin e së dielës, e ka bërë si asnjëherë më të paqartë formimin e shumicës parlamentare dhe të kabinetit të ri qeveritar, shkruan REL.

Në bazë të kushtetutës, konstituimi i përbërjes së re parlamentare duhet të bëhet më së voni 20 ditë pas zgjedhjet, apo deri më 31 dhjetor.

Pas konstituimit, kreu i shtetit duhet t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re partisë me më shumë deputetë, që në këtë rast është OBRM-ja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, me 51 mandate, por në rast të mos arritjes së formimit të shumicës parlamentare, mandati në bazë të kushtetutës i jepet partisë së dytë, që është LSDM-ja me 49 deputetë. Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, mandatin mund ta fitoj edhe ndonjë parti e tretë, në rast se arrin të bëjë shumicën në Kuvend.

“Mund të ndodhë që partia e cila ka fituar 51 deputetë të mos mund të siguroj shumicën për formimin e qeverisë së re. Por, edhe anasjelltas, mund të ndodhë që ndonjë parti më e vogël, nuk do të thotë që kjo të jetë LSDM-ja, pra, mundet ndonjë tjetër parti që përmes bisedimeve me partitë tjera, në bazë të programit të saj, të formoj shumicë në Kuvend dhe të marr mandatin për formimin e qeverisë”, thotë Svetomir Shkariq, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Shkupit.

Partitë, nga ana tjetër, në veçanti OBRM-PDUKM-ja vazhdon të hesht lidhur me kombinimet e mundshme, apo nëse ka nisur negociatat për formimin e shumicës së re.

Ndërsa LSDM-ja mbetet në qëndrimin se qeverinë nuk do të mund ta formojë, Nikolla Gruevski.

Ndërkohë, zhvillime më të dinamike ka në bllokun shqiptar, i cili po tenton të harmonizoj qëndrimet për një platformë të përbashkët. Por, thirrjes së kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, partia e të cilit ka fituar 10 deputetë, i është përgjigjur vetëm se “Aleanca për Shqiptarët” me tre deputetë ndërsa Lëvizja BESA që ka 5 deputetë nuk ka pranuar të jetë pjesë e bisedimeve me arsyetimin se nuk negocion me partitë që nuk kanë legjitimitetin apo zyrtarë të saj janë nën hetime nga Prokuroria Speciale.

Kurse PDSH-ja që ka dy deputetë, nuk bën pjesë në kombinime për shkak të zhvillimeve të brendshme pas dorëheqjes së kreut të saj, Menduh Thaçi.

Sefer Tahiri, analist dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore thotë se partitë shqiptare është mirë të bisedojnë, por jo edhe të bëjnë garë se cila do të jetë pjesë e qeverisë së re.

“Partitë politike shqiptare, vlerësoj se duhet të jenë më të rezervuara në kuptimin që të presin ofertën politike nga pala maqedonase dhe jo të bëjnë garë, edhe pse ajo është e heshtur, se cila prej tyre e para do të futet në qeveri me VMRO-në. Megjithatë unë vlerësoj se disponimi i elektoratit shqiptar ishte i qartë, andaj edhe partitë duhet të kalkulojnë nëse do të futen me këtë parti e cila u ndëshkua me votë nga shqiptarët”, thotë Tahiri

Pavarësisht lëvizjeve në bllokun shqiptar, Tahiri vlerëson se dy partitë maqedonase OBRM dhe LSDM do ta kenë shumë të vështirë të formojnë qeverinë. OBRM, sipas tij, do ta ketë vështirë të pranoj kushtet që mund të vendosen nga shqiptarët, si për gjuhën, përfaqësimin, buxhetin, çmontimin e proceseve gjyqësore, prokurorinë speciale dhe drejtimin e ndonjërit nga tre postet kryesore në shtet.

Ndërsa edhe LSDM-ja, vijon Tahiri, do të bënte precedentë nëse do të hynte drejtonte qeverisë pasi realisht në bazë të mandateve të fituara nuk e ka legjitimin e plotë për formimin e shumicës së re.

“E gjithë kjo situatë, vlerësoj se e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat do të rezultonin me formimin e një shumice të re parlamentare më stabile”, thekson Tahiri.

Qeveria e re duhet të formohet më së voni 20 ditë pas dorëzimit të mandatit nga kreu i shtetit, por nëse asnjëra parti politike nuk arrin këtë ta bëjë, atëherë presidenti shpall zgjedhje të reja parlamentare. /Telegrafi/

Exit mobile version