Site icon Telegrafi

Maqedonia kërkon përkrahje maksimale ndërkombëtare

Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë punon në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe në krijimin e lidhjeve më të forta me Perëndimin. Duke u përballur me një situatë të brishtë politike në vend, qeveria e Shkupit, që është në qeverisje vetëm dy muaj, ka nevojë për përkrahje të jashtme maksimale, thuhet në analizën e agjencisë ekonomike amerikane Stratfor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

‘Në qershor, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, u takua me homologun e tij grek, për të diskutuar për çështjen bilaterale. Atina nuk e pranon emrin e Maqedonisë nga frika se kjo mund të çojë në ngjallje të tendencave territoriale të Maqedonisë në tokat greke që mbajnë atë emër. Poashtu në qershor, ministri i mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, vizitoi Republikën e Shqipërisë dhe u zotua për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet Shkupit dhe Tiranës.Në Maqedoni jeton një numër i madh i popullatës shqiptare, rreth një e katërta e popullatës së vendit, dhe Tirana akuzon Shkupin për diskriminim etnik të shqiptarëve në sferat e arsimit dhe punësimeve në sektorin publik. Më pas, më 1 gusht, Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan një marrëveshje të fqinjësisë së mirë me të cilën hoqën dorë nga tedencat territoriale ndaj njëra tjetrës. Kjo marrëveshje ishte rezultat i gati se 20 viteve negociata bilaterale’, vazhdon analiza e Stratfor.

Që kur Zaev u bë kryeministër i vendit, shumë zyrtarë të BE dhe NATO-s kanë vizituar Maqedoninë dhe kanë shprehur përkrahjen për aspiratat e vendit për anëtarësim në Be dhe NATO. Por, kjo nuk do të jetë e lehtë, pasi që, konfliktet territoriale dhe çështja e emrit nuk janë problemet e vetme që ndalojnë vendin. BE-ja ka vërejtje të vazhdueshme për statusin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, për nivelin e lartë të korrupcionit dhe krimit. Çështje tjetër brengosëse mbetet edhe mundësia e vazhdueshme për konflikte etnike në vend, përfundon analiza gjeo-politike e Strafor./Telegrafi/

Exit mobile version