Telegrafi

Maqedonia jep me koncesion një aeroport periferik

Katër kompani kanë shprehur interes për modernizimin e aeroportit te Maqedonisë dhe ndërtimin e një aeroporti të ri të ngarkesave, pranë qytetit lindor të Stip, ka deklaruar ministria e Transportit, sipas raporteve të BalkanInsight.com.

"Austrian Vienna International Airport, kompania turke TAV, kompania gjermane Hochtief dhe konsorciumi francezo-belg janë ftuar të plotësojnë dokumentet e tenderit", tha zëdhënësi i ministrit, Dragan Simonovski.

Oferta e tenderit do të qëndrojë e hapur deri në 25 gusht. Sipas marrëveshjes, Maqedonia ofron një koncesion 22-vjeçar për aeroportin.

I vetmi shtet në regjion që ka dhënë me koncesion aeroportin kryesorë është Shqipëria, për një periudhë 25 vjeçare.

Nga ky koncesion Shqipëria sipas Kontrollit të Shtetit ka humbur rreth 300 milion dollar për këtë periudhë, sikur ta menaxhonte vet Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Edhe qeveria e Kosovës është duke menduar ta japë me koncesion Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, megjithëse është i vetmi aeroport ndërkombëtar dhe nuk rrezikohet nga konkurrenca.

Ky aeroport ka lajmëruar fitime neto prej 2.8 milion euro vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.