Telegrafi

Maqedonia gjithnjë e më shumë “po plaket”

Maqedonia në dekadat e fundit ka shënuar shpërngulje të madhe të popullatës jashtë shtetit, pastaj ulje të natalitetit dhe shtim negativ të popullatës në më shumë se gjysmën e komunave, shkruan gazeta Koha. Të dhënat tregojnë se prej vitit 1995, kur në Maqedoni janë lindur 29.886 foshnje dhe në vitit 1996 kur janë lindur 28.946 foshnje, prej atëherë e këndej në vazhdimësi në vitet vijuese shënohet rënie e lindjeve, që në periudhën 2001-2015 lëviz nga 23 deri 24 mijë foshnje në vit. Nga ana tjetër, Banka Botërore vlerëson se vetëm deri në vitin 2010, nga Maqedonia janë shpërngulur mbi 450 mijë njerëz.

Gjithashtu, edhe të dhënat zyrtare tregojnë ulje të shtimit natyror prej 3930 lindjesh në vitin 2013, në 3878 në 2014-ën dhe në 2614 lindje në vitin 2015. Ekspertët thonë se Maqedonia i lejon vetes një luks tepër të madh me humbjen e kuadrove të ndryshme dhe duhet të ndërmerr masa, duke motivuar së paku një pjesë të njerëzve që janë këtu dhe që vlejnë që të mos ikin jashtë.

“Maqedonia po hyn në procesin e plakjes së thellë demografike. Nëse nuk ndërmerren masa për ndryshimin e situatës, do të vazhdohet me rritjen e strukturës së vjetër të popullatës. Gjithashtu, gjendja me shpërnguljen e popullatës së re vërehet në shtimin natyror të popullatës, që është negative në dhjetë vitet e fundit në 45 komuna të vendit”, thotë për Koha, demografi Donço Gerasimovski.

Sipas tij, në rajonin e Pellagonisë gjysma e vendbanimeve kanë shtim negativ të popullatës, ndërsa situatë e ngjashme është edhe në rajonet lindore dhe juglindore, ku Dellçeva, Pehçeva, Berova dhe Makedonska Kamenica, gati se nuk kanë popullatë të re. Viteve të fundit edhe Kërçova, Qendra Zhupë, Mavrovë Rostusha dhe Ohri ballafaqohen me probleme të tilla. Nga ana tjetër, analizat profesionale të plakjes demografike në Republikën e Maqedonisë tregojnë se në 25 vitet e kaluara janë ndryshuar më shumë parametra socio-ekonomik, si dhe dukshëm është ulur shkalla e fertilitetit.