Telegrafi

Maqedonia fiton turneun në futsall “Adem Jashari”, Kosova A zë vendin e tretë

Përfaqësuesja e Maqedonisë e ka fituar turneun “Adem Jashari” në futsall, pasi që në finale mundi Kombëtaren shqiptare, me rezultat 8-7, pas ekzekutimit të penalltive, pasi që koha e rregullt u mbyll baras (3-3), derisa edhe vazhdimet u mbyllën baras 5-5.

Finalja mes kuqezinjve dhe ekipit maqedonas ka prodhuar një ndeshje dramatike, me shumë gola e me shumë kthesa në rezultat.

Ekipi shqiptar e nisi mirë lojën dhe vetëm pas katër minutave e zhbllokoi ndeshjen përmes Hasajt, duke kaluar Shqipërinë në epërsi. Mirëpo, në minutën e 12-të ekipi maqedonas u kthye në lojë përmes Leveskit, i cili barazoi shifrat në 1-1. Tre minuta më vonë, Maqedonia kaloi në avantazh me golin e Ylber Alilit, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Lojë dinamike është luajtur edhe në fraksionin e dytë. Pas gjashtë minutave të kësaj pjesë, skuadra shqiptare me golin e Agon Ramadanit barazoi rezultatin në 2-2. Por, sërish në epërsi vijnë maqedonasit, kësaj herë më golin e Taulant Ismailit. Shqipëria nuk u dorëzua dhe në finish të ndeshjes përmes Narcis Alibegut barazoi edhe një herë rezultatin në 3-3, rezultat më të cilën edhe u mbyll koha e rregullt.

Drama e kësaj finale u zhvillua në lojën shtesë, dy herë nga pesë minuta. Futbollistët e Shqipërisë në lojën shtesë, krijuan epërsinë prej 5-3, më një gol të Selmanajt e Alibegut, megjithatë, ekipi i Maqedonisë më angazhim maksimal ia doli që ta barazoj rezultatin në 5-5, më ane të Milenkovskit e Alilit, madje, ky i fundit shënoi në sekondën e fundit të ndeshjes, kështu që fituesi i kësaj finale të madhe u përcaktua pas ekzekutimit të penalltive.

Nga pika e bardh më e suksesshme u tregua ekipi maqedonas duke fituar ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 8-7.

Futbollisti i Maqedonisë, Taulant Ismaili, i cili u zgjodh edhe lojtari më i mirë i turneut, i tha Kosovapressit se është i lumtur që ka fituar Kupën “Adem Jashari”. Sipas tij, finalja ishte një ndeshje e fortë, sepse në ekipin shqiptar luajnë lojtarë kualitativë, të cilët luajnë në ligat e mëdha. Ismaili tha se Kupa “Adem Jashari” për të është e veçantë.

“Finalja ishte më së e vështirë, sepse Shqipëria ka lojtarë mjaft kualitative, të cilët luajnë në liga të fortë, kemi edhe shokë që luajmë në një ekip pasi që unë jam lojtar i Feniksit, ndihem i lumtur. Kupa Adem Jashari për mua është shumë e vlefshme edhe pse luajë për Maqedoninë, unë jam shqiptar 100 për qind”, është shprehur Ismaili.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Shqipërisë, Endrit Resuli, tha se futsalli është lojë e çuditshme, sepse sipas tij, kjo lojë ndryshon nga momenti në moment. Ai theksoi se skuadra e tij humbi në sekondën e fundit nga një pakujdesi. Resuli shtoi se finalja prodhoi një lojë mjaftë të fortë dhe të barabartë.

“Kjo lojë është shumë e çuditshme, ndryshon nga momenti në moment dhe këtu e ka bukurin. Mendoj se u bë një lojë e bukur, sekondat e fundit ishin fatale, sepse ishim në avantazh, atyre ju ndihmoj edhe fati dhe u shënuan goli në sekondën e fundit nga një pozicion që nuk e prisja që do të shënonte. Ishte një pasiguri e jona në momentin e fundit dhe kjo na ndëshkoi, megjithatë, unë do të them se u bë një ndeshje e fortë e barabartë duke e ditur se ekipi i Maqedonisë është në nivel të lartë, ne në këtë grumbullim kisha mungese titullarësh, minimumi 4-5 pesë lojtarë titullar dhe ishte një test për këta lojtarët e ri”, ka theksuar Resuli.

Ndërkaq, në ndeshjen për vendin e tretë mes përfaqësueses së Kosovës A dhe Kosovës U-21, fitues doli Kosova A, me rezultat 6-5 pas ekzekutimit te penalltive, pasi që edhe në këtë takim koha e rregullt u mbyll baras 3-3.

Në fund organizatorët e turneut të nëntë ndërkombëtar “Adem Jashari” shpërblyen më të mirët e këtij evenimenti sportiv. Lojtari më i mirë i turneut u zgjodh Taulant Ismaili (Maqedoni), portieri më i mirë Zoran Petrovski (Maqedoni). Vendi i parë, i dyti dhe i treti u shpërblyen me kupa dhe medalje.