Telegrafi

Maqedonia firmosi katër marrëveshjet e para për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga programi IPARD (Video)

Katër vjet pasi u vunë në dispozicion dhe dy vite para skadimit të afatit, Maqedonia firmosi katër marrëveshjet e para për shfrytëzimin e një pjese të 60 milionë eurove nga programi IPARD për zhvillim rural. Me këto mjete, do të bashkëfinancohen gjysma e shpenzimeve të kompanive që do të investojnë në mjete elementare për përpunimin e produkteve bujqësore dhe të peshkut. Katër kompanitë që firmosën do të marrin rreth 250 mijë euro. Në konkursin që mbaroi në qershor të vitit të kaluar gjithsej kanë arritur 1600 aplikacione.

“Ky është një shembull i mirë dhe klasik për vazhdimin e programit IPARD, por në një drejtim pozitiv, që fatkeqësisht në periudhën e kaluar, vet jeni dëshmitarë se nuk e kishte atë vëmendje që duhej ta ketë”, tha Nikolçe Babovski, drejtor i Agjencisë pagesore.

Që të ndahen më lehtë paratë evropiane, në Agjencinë pagesore do të punësohen 28 persona. Edhe ministri aktual i Bujqësisë, si edhe paraardhësit e tij, është optimist se do të arrijnë në dy vitet e ardhshme, kur mbaron afati për shfrytëzimin e parave evropiane, do të shfrytëzohet pjesa më e madhe e mjeteve.

“Erdhëm deri në një gjendje ku Agjencia pagesore nuk kishte potencial të mjaftueshëm kadrovik i cili duhej të merret me këtë punë dhe për këtë në mënyrë intensive biseduam edhe me kryeministrin edhe me ministrin e financave, sidomos me drejtorinë për bujqësi të Komisionit Evropian dhe jemi duke e përfunduar fazën e parë të përforcimit kadrovik të Agjencisë pagesore”, deklaroi Lupço Nikolovski, ministër i bujqësisë.

Mjetet e përgjithshme financiare nga programi IPARD 2014-2020, që mund të shfrytëzohen deri në vitin 2023, kapin shifrën prej 79,6 milionë euro, prej të cilave 60 milionë euro nga fondet evropiane ndërsa tjerat nga buxheti i shtetit./Alsat-M/