Republika e Maqedonisë sot e shënon 25-vjetorin e referendumit të zbatuar me sukses në të cilin qytetarët e Maqedonisë u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Shumica absolute, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendum, pozitivisht iu përgjigjën pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë.
Dhjetë vite më vonë, Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, e më pas pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…
Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.
Gjatë 25 viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia kaloi një sërë probemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza kosovare e refugjatëve dhe konflikti në vitin 2001 ishin sfida të vërteta dhe kërcënime për shtetin e ri të Maqedonisë, që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat euro-atlantike. Dy vitet e fundit i shënoi edhe kriza politike e cila shkaktoi ngecje në procesin e eurointegrimeve, ndërsa pritet të tejkalohet me plotësimin e Marrëveshjes së Përzhinos, zgjedhjet e dhjetorit dhe prioritetet urgjente reformuese.
Edhe përkundër plotësimit të të gjitha kritereve për anëtarësim të barabartë në NATO në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të vitit 2008, Republika e Maqedonisë mori vetëm ftesë të kushtëzuar për anëtarësim, pasi Greqia për shkak të kontestit për emrin e bllokoi pranimin.
Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave paraqasëse me Unionin, gjë që u përsërit edhe sivjet. Greqia pas shembullit me NATO-n e bllokoi edhe eurointegrimin e Maqedonisë, duke kushtëzuar me zgjidhjen paraprake të çështjes për emrin.
Me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, një delegacion i Qeverisë së RM-së i kryesuar nga zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike, Vladimir Peshevski dhe delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do të vendosin lule para përmendores së heronjëve në parkun “Gruaja luftëtare”. Lule do të vendosin edhe delegacione partiake, komunale dhe qytetare.
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot do të ndahet çmimi shtetëror “8 Shtatori”, i cili sivjet do të ndahet për herën e pestë, ndërsa është ndarë në dy kategori – për vepër jetësore dhe mirënjohje për realizimet në fushën e sportit, ndërsa u ndahet sportistëve, trajnerëve dhe punonjësve të sportit.
Këshilli për ndarjen e çmimit “8 Shtatori” do të dorëzojë një çmim për vepër jetësore dhe katër për realizime në fushën e sportit në vitin 2016. Fitues të çmimit shtetëror sivjet janë Agim Ejupi, Andon Donçevski, Sashko Popovski, Dobre Marinkov dhe Foti Gjatovski.
Çmimi shtetëror për vepër jetësore paraqet pension sportiv i cili do t’i paguhet bartësit deri në fund të jetës, ndërsa katër mirënjohjet e tjera shtetërore paraqesin pagesë të njëfishtë në shumë prej dhjetë pagave mesatare në Republikën e Maqedonisë.
Në vigjilie të festës shtetërore 8 Shtatori – Ditës së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, mbrëmë në Teatrin popullor të Maqedonisë u mbajt akademi në të cilën fjalim pati presidenti Gjorge Ivanov.
Për nder të festës së sotme mbrëmë u mbajt edhe manifestimi “Nata e bardhë” e cila qytetarëve u mundësoi hyrje falas në institucionet nacionale dhe lokale të kulturës në Maqedoni. /Telegrafi/