Brukseli po e inkurajon Maqedoninë të zgjidh kontestin e emrit që ka Maqedonia me Greqinë, njëherës, për t’i dhënë shtytje procesit të reformave në gjyqësor, media dhe administratë, thonë njohësit e çështjeve politike, duke komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që rekomandoi hapjen e pakushtëzuar të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Ismet Ramadani nga Këshilli Veriatlatik thotë se theksi që vendosin zyrtarët e lartë të Brukselit pas publikimit të raportit mbi vendosjen e dialogut politik mes pushtetit dhe opozitës si e arritur e madhe në drejtim të realizmit të reformave, tregon qartë se ky dialog është shumë i rëndësishëm gjatë periudhës në vazhdim, kur Maqedonia hyn në fazën delikate të zgjidhjes së kontestit të emrit.
“Tani mbetet që i tërë potenciali edhe ai politik, por edhe institucional, të angazhohet që kjo mundësi të shfrytëzohet”.
“Sigurisht se këtu do të ndihmoj ajo, nëse opozita vazhdon të jetë të paktën në minimumin e kooperimit me qeverinë në miratimin e ligjeve që kërkohen për realizimin e reformave. Këtu ka një çështje që duhet të mbyllet, mbase kjo është edhe arsyeja kryesore ose tentimi për të motivuar Maqedoninë që të zgjidh çështjen e kontestit të emrit, përkatësisht të gjendet ai kompromisi i shumëpritur me Greqinë që pastaj BE-ja pa problem të caktojë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në familjen evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Veri-Atlantik në Maqedoni.
Nga ana tjetër, Pero Dimshoski, ish zyrtar i lartë në sekretariatin për çështje evropiane, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Raporti i Komisionit Evropian është mjaft pozitiv dhe shumë inkurajues, megjithëse nëse lexohet me kujdes do të shohim se aty apostrofohet kërkesa për angazhimin e Maqedonisë që të fokusohet në realizmin e reformave të thella në shumë dimensione të shoqërisë, duke pasur si pikënisje pavarësinë e plotë të institucioneve nga influenca politike.
Dimshovski, këto konstatime i bën duke komentuar faktin se në raport vlerësohen pozitivisht reformat e filluara në gjyqësor, ndërkohë konsiderohet si plagë e rëndë çështja e korrupsionit.
“Më e rëndësishme është se ekziston një vullnet i fuqishëm politik si asnjëherë më parë për t’u anëtarësuar vendi në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në Raport qartazi identifikohet vullneti politik, do të thosha vullneti i theksuar i kësaj përbërje qeveritare për të bërë reforma. Megjithëse në raport janë apostrofuar më shumë segmente ku duhet realizuar reforma të thella për demokratizimin e shoqërisë maqedonase, siç është gjyqësori, mediat..që në fakt paraqesin kusht për pranimin e Maqedonisë, thënë kushtimisht në klubin e demokracisë, siç është Bashkimi Evropian”, thotë Dimshoski.
Ai njëherësh nënvizon se Maqedonia nuk ka alternativë përpos të zgjidh çështjen e emrit dhe të avancojë drejt BE-së dhe NATO-s.
“Do të thosha se Ballkanit i hapet një shans i ri që të jetë me prioritet në BE dhe sa do të arrijnë vendet e Ballkanit Perëndimor ta shfrytëzojnë këtë shans do të varet nga ajo se me sa shkathësi do t’i mbyllin çështjet e hapura që kanë mes vete dhe pikërisht kjo do të jetë përcaktuese se cili vend me çfarë dinamike do të ecë drejt BE-së”, thotë Dimshoski.
Ndërkaq, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Veri-Atlantik në Maqedoni, thekson se Brukseli përmes inkurajimit të Maqedonisë për hapa të përshpejtuar në rrugëtimin drejt anëtarësimit në familjen evropiane, synon të largojë influencën ruse në Maqedoni.
“Në Maqedoni po krijohen çerdhe të cilat po i bëjnë vend ndikimit rus, një e vërtetë që e shohim edhe ne, por edhe faktori ndërkombëtar, andaj në ketë drejtim duhet parë edhe raporti pozitiv për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE si vendim politik të Brukselit sesa si përmbushje të kritereve nga ana e Maqedonisë, pra do të thosha përshpejtohet angazhimi i BE-së në vend për ta larguar ndikimin rus”, thotë Ramadani.
Ndryshe, pas dy vitesh, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Maqedonisë sërish i rekomandohet hapja e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Maqedonia statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005, ndërsa rekomandimin e parë për nisjen e bisedimeve në vitin 2009. Në dy vjetët e fundit, për shkak të krizës politike ajo ka marrë dy rekomandime të kushtëzuara, për gjendjen e rëndë në gjyqësor, parregullsitë në proceset zgjedhore, presionet ndaj mediave si dhe ngecjen e reformave në sfera tjera.
Zgjidhja e çështjes së emrit është përcaktuar si çelësi kryesor që i hap Maqedonisë anëtarësimin në NATO./rel/