Telegrafi

Maqedonia e Veriut do të merr pjesë në Programin e Tregut të Përbashkët të BE-së

Ministri i Ekonomisë, Kreshik Bekteshi sot nënshkruajti Мarrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin e Tregut të Përbashkët të Bashkimit Evropian.

“Ky program përfshin mbështetjen nga Bashkimi Evropian në rritjen e efikasitetit të tregut të brendshëm, ndër të tjera, në dritën e transformimit digjital, forcimit të konkurrencës si dhe qëndrueshmërisë së NVM-ve dhe arritjes së vlerës së shtuar në nivel të Unionit, promovimit të interesave të konsumatorëve dhe garantimit të një standardi të lartë të sigurisë së produktit dhe mbrojtjes së konsumatorit”, shprehet ministri Bekteshi.

Ai sqaroi se Programi i Tregut të Përbashkët ofron një mundësi të shkëlqyer për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e konkurrencës, punësimit dhe rritjes.

“Gjithashtu, ky program është përshtatur si një mjet kyç për të adresuar çështjet aktuale, të paparashikuara si; pandemia COVID-19 dhe krizat e tjera të fundit me të cilat jemi përballur dhe kanë hedhur themelet për rimëkëmbjen e qëndrueshme të Evropës. Programi i Tregut të Përbashkët me Bashkimin Evropian na angazhon të punojmë më ngushtë së bashku drejt qëllimit tonë të përbashkët”, potencoi Bekteshi./Telegrafi/