Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë nisur procedurat për miratimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë, që sipas paralajmërimeve të qeverisë, duhet të realizohet në prill të vitit 2021.
Propozimi ka kaluar të enjten, më 10 dhjetor, në Komisionin për çështje evropiane, ndërsa fazat tjera pritet të mbyllen më së voni deri në fund të dhjetorit.
Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.
Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në regjistrimin e fundit, jetojnë 25.17 për qind shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, në veçanti nga partitë opozitare.
“Të gjithë ne, maqedonas, shqiptarë dhe të tjerët, që jetojmë në këtë shtet, do të regjistrohemi ashtu siç jemi, aq sa jemi. Këtë gjë e garantojmë me ligj. Do të kemi 45 rajone regjistrimi dhe për çdo rajon do të themelohen komisione të posaçme që do të përbëhen prej pesë deri në nëntë anëtarësh, përfshirë edhe kryetarin”, ka deklaruar zëvendësministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Agim Nuhiu.
Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, realizohen sipas Kushtetutës, bazuar pikërisht në përqindjen e tyre. Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Opozita maqedonase pretendon se shqiptarët përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë dhe kjo, sipas partisë OBRM-PDUKM, do të vërtetohej përmes një regjistrimi të drejtë të popullatës.
OBRM-PDUKM-ja kërkon që të përcaktohet se cilat dokumente do të pranohen gjatë regjistrimit, cilat baza të të dhënave do të përdoren për të bërë dallimin midis vendbanimit dhe qëndrimit, si dhe të rishikohet mundësia që diaspora të regjistrohet vetë përmes një aplikacioni, por edhe të mos përfshihen ata persona që më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit.
“Kemi një procedurë jashtëzakonisht jotransparente, pa pjesëmarrjen e të gjitha strukturave të interesuara, posaçërisht pa pjesëmarrjen e OBRM-PDUKM-së. Nga kjo mënyrë e veprimit, mund të ketë vetëm një përfundim se qëllimi i këtij regjistrimi nuk është të kryejë një operacion statistikor, por regjistrimi është planifikuar të kryhet ekskluzivisht për qëllime politike”, ka deklaruar Dafina Stojanoska, deputete nga radhët e OBRM-PDUKM-së, e cila është anëtare e Komisionit parlamentar për çështje evropiane.
Vërejtje ka edhe opozita shqiptare, për siç thonë, mundësinë e manipulimit gjatë procesit të regjistrimit. Aleanca për Shqiptarët, vërejtjen kryesore e ka mbi pyetësorin, i cili kërkon që të mos jetë e drejtë ekskluzive e Entit Shtetëror të Statistikës.
Ndërkohë, nga Lëvizja Besa thonë se është mirë që të krijohet një mirëbesim mes palëve, që të mos vijnë në situatën e para dhjetë vjetëve, kur ky proces dështoi.
“Ne jetojmë një atmosferë të tillë që duhet domosdo të kemi edhe një mënyrë institucionale të sanksionimit apo mekanizma që ky operacion të jetë i pranuar nga të gjithë, që të mos të kemi një situatë që të bëjmë një operacion të kushtueshëm dhe në fund të dalim si parti politike me qëndrime se e pranojmë, nuk e pranojmë”, thotë deputeti nga Lëvizja Besa, Kastriot Rexhepi.
Për shkak të mosmarrëveshjeve, shtyrja e regjistrimit të popullsisë, sipas drejtuesve të institucioneve, ka bërë që të mos ketë një shifër të saktë mbi numrin e popullsisë, që është i nevojshëm kjo për hartimin e politikave shtetërore në shumë fusha./REL/