Site icon Telegrafi

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia punojnë në zvogëlimin e pritjeve të gjata në vendkalimet kufitare

Serbia me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të punojë për të zvogëluar pritjet e gjata nëpër vendkalimet kufitare.

Banka Botërore ka miratuar 40 milionë dollarë për Serbinë nën projektin “Lehtësimi i tregtisë dhe transportit”, që synon zvogëlimin e kohës në të cilën pritet në vendkalimet kufitare.

“Është një projekt rajonal në të cilin përveç Serbisë përfshihen Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe vlera e përgjithshme e huas së Bankës Botërore për të tre vendet është 90 milionë dollarë”, tha Ministrja serbe e ndërtimtarisë, komunikacionit dhe infrastrukturës, Zorana Mihajloviq.

Mihajloviq shtoi se, ndryshe nga e kaluara, infrastruktura nuk është më problem kryesor për rrjedhën më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave në rajon, por procedurat kufitare dhe pritjet e gjata në kalimet shtetërore. Projekti i Bankës Botërore përfshin disa komponente, ndër të tjera, lehtësimin e komunikacioni ndërkufitar, zhvillimin e sistemeve inteligjente të transportit në Korridorin 10 dhe përmirësimin e infrastrukturës së komunikacionit rrugorë dhe hekurudhore./Telegrafi/

Exit mobile version