Republika e Maqedonisë së Veriut në listën sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021 është në vendin e 87-të nga 180 vende të renditura, me 39 nga 100 pikë të mundshme, që është një rritje prej katër pikësh dhe një kërcim prej 24 vende krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, vendi mbetet nën mesataren globale prej 43 pikësh, së bashku me dy të tretat e të gjitha vendeve të renditura, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Drejtoresha e Transparency International – Maqedoni, Slagjana Taseva, duke i prezantuar të gjeturat e ITI-së për vitin 2021 në konferencën e sotme për media, tha se jemi përmirësuar, por nuk do të thotë se është shumë mirë dhe rezultati është ende i ulët dhe jemi shumë larg nga ajo çfarë ishim në vitin 2015, kur ishim në vendin e 66-të.
Mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit ka mbetur e pandryshuar për dhjetë vitet e fundit me 43 nga 100 pikë të mundshme. Megjithë një numër të madh përpjekjesh, 131 vende nuk kanë bërë asnjë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në dekadën e fundit, ndërsa dy të tretat e 180 vendeve kanë nën 50 pikë, që do të thotë se kanë probleme serioze me korrupsionin, dhe 27 vende janë në nivelin e tyre më të ulët të të gjitha kohërave.
Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 87-të këtë vit me Kosovën, Kolumbinë, Etiopinë, Guajanën, Marokun, Surinamin, Tanzaninë dhe Vietnamin.
Vendin e parë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit e ndajnë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re me 88 pikë, ndërsa në vendin e 180 është Sudani i Jugut me 11 pikë.
Nga vendet e rajonit më së miri renditet Sllovenia, e cila është në vendin e 41-të me 57 pikë, ndërsa ka një rënie prej gjashtë vendesh në krahasim me vitin 2020, kur ishte në pozitën e 35-të. Pas saj vjen Greqia, e cila është në vendin e 58-të me 49 pikë, që është një rritje prej një vendi në krahasim me vitin 2020.
Kroacia është e pandryshuar në vendin e 63-të me të njëjtat 47 pikë si vitin e kaluar./Telegrafi/