Kampionati Evropian “Gjermani 2024” mbetet vetëm “ëndërr” për Maqedoninë e Veriut, pasi sot përfaqësuesja e tyre u mund nga Ukraina në Pragë me rezultat 2:0 në duelin e vlefshëm për eliminatoret e kësaj gare.
Të përzgjedhurit e seleksionuesit Bllagoja Milevski mund të quhet se nuk kishin fat në këtë përballje, aty ku në Pragë zhvilluan një ndeshje mjaftë të mirë, po pa arritur të finalizojnë aksionet.
Ukraina në të dyja pjesët shënoi nga një gol. Në minutën e 30-të të fraksionit të parë, Georgiy Sudakov nga jashtë zonës realizoi për 1-0.
Në pjesën e dytë, Milevski ndryshoi disa gjëra në fushën e gjelbër, ku nuk munguan edhe aksionet dhe loja e mirë, por në kërkim të golit të barazimit, Maqedonia e pësoi golin e dytë në minutat shtesë.
Ishte Oleksandr Karavaev, i cili mposhti portierin Stole Dimitrievskin për rezultatin përfundimtar 2-0.
Pas kësaj disfate, përfaqësuesja maqedonase renditet e katërta me 7 pikë të tubuara, aq sa ka edhe Italia në vendin e tretë, mirëpo kjo e fundit ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Maqedonia e Veriut tre ditë më vonë përballet me Armeninë në një ndeshje kontrolluese që do të luhet në qytetin e Strumicës. /Telegrafi/