Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, vendosi sot që ndeshja e play Off-it e Ligës së Komeve për Kampionatin Evropian mes vendasve dhe Kosovës, të zhvillohet pa praninë e tifozëve.
Shkak është bërë natyrisht plani i masave për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ndërsa Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut i ka dërguar një kërkesë UEFA-s.
Kërkesa e tyre ka të bëjë me shtyrjen e ndeshjes për në një tjetër datë.
Kjo me arsyetimin se të dy përfaqësueset kanë në gjirin e tyre lojtarë që luajnë në kampionatin italian dhe konkretisht në zonat që konsiderohen si zona e kuqe, me përhapjen më masive të virusit që po alarmon botën.
Te Maqedonia janë emra si Goran Pandev, Elif Elmas e Ilija Nestorovski që luajën në Serie A.
Në anën tjetër edhe te Kosova janë emra si Samir Ujkani e Amri Rrahmani që luajnë në Serie A.
Këta lojtarë nëse udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut për ndeshje, do të duhet t’i nënshtrohen karantinës për të parë se a janë të prekur nga coronavirusi. /Telegrafi/