Site icon Telegrafi

Maqedonia e Veriut dhe Armenia sot zhvillojnë betejën për vendin e parë në grup!

Pas dueleve me Letoninë dhe Ishujt Faroe, përfaqësueset e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Armenisë do të dalin sonte në fushë në Jerevan dhe kjo ndeshje do të jetë betejë për vendin e parë në grupin katër të Ligës C në Ligën e Kombeve, njofton Telegrafi.

Edhe kur u hodh shorti, ishte e qartë se këto dy përfaqësuese do të luanin për kreun e grupit. Vendi i parë sjell ndeshjen e “Play-off”-it në Ligën e Kombeve, por është i rëndësishëm edhe për rrugën drejt Kupës së Botës 2026, sepse përmes kësaj gare mund të arrihet një “vizë” e Kupës së Botës.

Maqedonia e Veriut e ka mposhtur tashmë një herë Armeninë në këtë cikël, kur festoi 2-0 në Shkup me golat e Enis Bardhit e Bojan Miovskit.

Visar Musliu, Ezgjan Alioski dhe Enis Bardhi

Në ekipin e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut situata nuk ka ndryshuar, vetëm se kthehen të suspenduarit Gjoko Zajkov dhe Nikolla Serafimov. Paraqitja e mbrojtësit të padiskutuar Visar Musliu është ende e pasigurt, edhe pse gjendja e tij është shumë më e mirë se disa ditë më parë. Nga ana tjetër situata te armenët është më ndryshe se ajo në Shkup, ka një risi në sulm me Artur Miranjan i cili luan për Universitatea Kluzhit të Rumanisë.

Për herë të fundit kur është luajtur në Armeni, ishte viti 2021, e në këtë përballje Maqedonia e Veriut kishte fituar me rezultat 0-5. Enis Bardhi shënoi hat-trick, ndërsa dy gola të tjerë ishin vepër e Aleksandar Trajkovskit dhe Milan Ristovskit.

Ndeshja Armeni – Maqedoni e Veriut luhet sot në orën 18:00 në stadiumin “Vazgen Sargsyan” të Jerevanit. /Telegrafi/

Exit mobile version