Telegrafi

Maqedonia e Veriut depozituese e tri marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i pranoi tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, të 3 nëntorit, nënshkruar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilat Maqedonia e Veriut është caktuar si depozituese e tyre. Dokumentet origjinale u dorëzuan nga Suzan Shuc, Drejtore për Evropën Juglindore, Turqinë, OSBE-në dhe Këshillin e Evropës në Ministrinë e Jashtme gjermane.

“Roli si depozitues i tri marrëveshjeve, në përputhje me praktikën e caktimit të një vendi si “Kujdestar” i marrëveshjeve të nënshkruara nga më shumë vende, paraqet konfirmim të rolit konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në proceset rajonale dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe i përkushtimit të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe model për gjetjen e zgjidhjeve pozitive për tejkalimin e çështjeve të hapura”, theksoi Osmani.

Marrëveshjet i referohen njohjes reciproke të diplomave universitare në Ballkanin Perëndimor, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe lirisë së lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ato synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve në fushën e proceseve reformuese, tregjeve të përbashkëta dhe gjithashtu të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e përshpejtuar ekonomik rajonal.

Procesi i Berlinit, si komplementar i procesit eurointegrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, synon të ndërtojë kornizë për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve, ekonomi e tregut të hapur, përshpejtimin e progresit të reformave në interes të integrimit më të shpejtë në BE, nxitja e bashkëpunimit, promovimi i kulturës së dialogut dhe i kulturës së gjetjes së zgjidhjeve të kompromisit që synojnë të japin një kontribut autentik në evropianizimin e vendeve të rajonit.

Me aplikimin e tre marrëveshjeve fillon zbatimi konkret i Tregut të Përbashkët Rajonal.