Në periudhën prej 15 maj deri 15 qershor të këtij viti, kompania hulumtuese “Heraklea” në bashkëpunim me agjencitë për blerje të fshehtë nga rajoni, dhjetëra herë me radhë ka kryer hulumtimin e saj për cilësinë e shërbimeve gjatë blerjes, me qëllim që të gjejë shtetin më të mirë në rajon.
Në studim kanë marrë pjesë gjashtë vende nga rajoni: Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia dhe Serbia. “Blerësit sekret” kanë vizituar 800 objekte të ndryshme, siç janë sallone të makinave, banka, pompa benzine, shitore, super-markete, kompani telekomunikimi, objekte hotelierike dhe industri të shërbimit.
Në këtë hulumtim përcjell Telegrafi Maqedoni, janë analizuar pesë elemente të mirësjelljes, gjegjësisht cilësisë së shërbimeve siç janë: përshëndetja, identifikimi i nevojave/dëshira e blerësve, njohja me prodhimet, oferta e prodhimeve shtesë dhe falënderimi për vizitën, që në gjuhën angleze njihen si GUEST – mysafir (Greet, Understand, Explain, Suggest, Thank).
Sipas hulumtimeve të këtij viti, Maqedonia ka rezultate më të mira, gjegjësisht 78.95 për qind. Sllovenia është në vendin e dytë me 75.60 për qind, duke shënuar rënie prej 3.43 për qind. Serbia me 74.74 për qind është në vendin e tretë, duke shënuar rritje për 1.33 për qind, Kroacia është e katërta me 73.16 për qind, ndërsa me rezultat më të dobët janë vlerësuar Mali i Zi (70.59 për qind) dhe Bosnja e Hercegovina (56.89 për qind).
Maqedonia është e para në kategorinë e njohjes së nevojave dhe dëshirave të blerësve, ndërsa Sllovenia është e para në kategorinë e ofertës së prodhimeve shtesë dhe falënderimit. Bosnja e Hercegovina është vendi që këtë vit ka pasur rezultate më të dobëta në gjitha kategoritë.
Ndërsa nëse shikohen rezultatet e objekteve, mund të vërehet se sallonet e makinave kanë ndikuar më shumë në rezultat (93.10 për qind), ndërsa super-marketet janë vlerësuar si veprimtaritë me rezultate më të dobëta (56.75 për qind)./Telegrafi/