Site icon Telegrafi

Maqedonia, drejt ndarjes apo decentralizimit?

 Ka ditë që Maqedonia e ka shfaqur fytyrën e saj të vërtetë. Tashmë kryetemë e zhvillimeve në këtë shtet nuk janë temat sekondare që përpiqej t’i sforconte Qeveria e Gruevskit, siç është çështja e pazgjidhur e emrit apo integrimi i këtij shteti në strukturat euroatlantike.

Pas konfliktit të fundit në Kumanovë, ku ishin të përfshirë kryesisht shtetas nga Kosova, si dhe publikimit të përgjimeve në të cilat ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, fyente me gjuhën më të ultë shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa kryespiuni Sasho Mijallkov paraqitej si vendimmarrësi kryesor në Qeverinë e Gruevskit, u intensifikua edhe vala e protestave që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit maqedonas dhe daljen e partnerit shqiptar nga qeveria.

Mirëpo, cili është realiteti politik në Maqedoni tek të dy etnitë që dominojnë demografinë e këtij shteti – maqedonasit dhe shqiptarët?

Faktet dhe rrethanat nuk janë gjithaq shpresëdhënëse! Edhe nëse do t’i bindej kërkesave të protestuesve dhe ta jepte dorëheqjen kryeministri Nikolla Gruevski, gjasat që lideri opozitar maqedonas, Zoran Zaev, të dilte fitues në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme janë të zbehta, ndonëse në euforinë aktuale, një pretendim i këtillë do të dukej i paqenë. Nuk duhet të harrojmë faktin se kjo nuk është hera e parë që opozita maqedonase proteston, sikundërse duhet ta përmendim edhe të vërtetën se në zgjedhjet e fundit LSDM doli thuajse dyfish me më pak vota se sa partia e Nikolla Gruevskit, e cila njihet për kursin e saj politik antishqiptar.

Andaj, publikimi i përgjimeve ku dëgjohen zyrtarët e lartë shtetërorë se si fyejnë dhe përbuzin bashkëqytetarët e tyre shqiptarë me një gjuhë të thellë të urrejtjes, nuk do t’i lëkundte në masë të madhe bindjet e votuesve të VMRO-DPMNE-së të cilët këtë parti e votojnë, ndër të tjera, edhe shkaku i kursit të saj radikal ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Në rrethana të tilla, e vetmja gjasë reale e Zoran Zaevit të LSDM-së do të ishte publikimi i përgjimit të rastit “Monstra”, nëse një gjë e tillë ekziston – ashtu siç përflitet në opinion.

Fjala është për përgjimin midis krerëve të lartë shtetëror lidhur me rastin ku mbetën të vrarë pesë të rinj maqedonas, ndërsa autorësia nga organet e drejtësisë përmes një procesi të montuar gjyqësor iu përshkrua shqiptarëve, duke i lidhur ata edhe me elemente radikale fetare. Dhe, nëse, siç përflitet në opinion, ekzistojnë dëshmi se ky rast është i montuar nga autoritetet maqedonase, ndërsa prapa tij qëndrojnë shërbimet sekrete që kishin për qëllim nxitjen e destabilitetit të Maqedonisë, atëherë pa diskutim kjo do t’i jepte edhe goditjen e fundit të qeverisjes së Nikolla Gruevskit.

E, derisa në rrethana të tilla do të sqaroheshin vetëm dilemat në taborin maqedonas, çështja është se çfarë do të ndodhte me faktorin politik shqiptar? Cila forcë politike shqiptare do të bashkëqeveriste, kushtimisht, me Zoran Zaevin? Do të ishte Bashkimi Demokratik i Ali Ahmetit apo Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thacit? Apo që të dyja bashkë do ta luanin kartën e ruajtur me kujdes, atë të unifikimit të faktorit shqiptar në Maqedoni, si dhe pas disa reformave sa “për sy e faqe” brendapartiake do të bëheshin pjesë e Qeverisë së re? Apo qeverisjes me Zoran Zaevin do t’i bashkoheshin dy subjektet e porsaformuara shqiptare, Lëvizja “Besa” dhe partia e Ziadin Selës, ndonëse pesha e tyre politike ende mbetet e panjohur për shkak të mos pjesëmarrjes në zgjedhje më parë.

Pa marrë parasysh se cila parti shqiptare do të bëhej pjesë e qeverisjes së ardhshme të Maqedonisë, mbetet e paqartë se cilat do të ishin kërkesat e shqiptarëve në këtë shtet. Nëse sërish çdo gjë do të mbështetej në implementim e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, apo do të kërkohej një marrëveshje e re politike, dhe cila do të ishte përmbajtja e saj?

Cilido që të jetë epilogu, Maqedonia ka gjasa që të rinisë nga fillimi edhe një rrugë të gjatë dhe të mundimshme siç ndodh me një shtet artificial. Përkohësisht shqiptarët edhe do të mund të avanconin në disa të drejta, pasi që prej moti atyre u janë nëpërkëmbur edhe të drejtat më elementare. Mirëpo, në një moment të caktuar sërish ky shtet do të mund të vihej në pikëpyetje të ekzistencës duke marrë parasysh se çdo opsion i ardhshëm politik mund të ndryshojë sipërfaqësisht, por jo edhe në përmbajtje, se funksionimi i këtij shteti nuk mbështetet në mirëqenien e popullit sa në interesat e ngushta të pushteteve.

Në rrethana të tilla, ndarja ose decentralizimi i këtij shteti mbetet thuajse i pashmangshëm. E vetmja gjë e paqartë mbetet se sa janë të parapërgatitur shqiptarët për njërën nga këto dy variante!

Exit mobile version