Në Strugë sot do të mbahet festimi i pestë i “Ditës së bashkëpunimit territorial evropian” me të cilën Maqedonia dhe Shqipëria, si vende shfrytëzuese të programit tejkufitar IPA, do të bashkëngjiten drejt vendeve të tjera të Evropës të cilat tashmë po festojnë rezultatet nga bashkëpunimi i suksesshëm territorial.
Është paralajmëruar fjalim i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, përfaqësuesit të Ministrisë së Partneritetit nga Republika e Shqipërisë, si dhe Elvis Ali, përfaqësues nga DEU në Republikën e Maqedonisë.
Do të bëhet përzgjedhja e video temës më të mirë “Pesë arsye pse dua ta vizitoj vendin tim fqinj” nga garues nga Maqedonia dhe Shqipëria, ndërsa do të mbahet edhe panair i artizanaleve të ekspozuesve nga Manastiri, Krusheva, Prilepi, Resnja, Ohri, Struga, Kërçova, Korça, Pogradeci, Librazhdi dhe Elbasani.
Programi IPA për bashkëpunim tejkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë 2014-2020 është miratuar nga ana e Komisionit Evropian në dhjetor të vitit 2014. Në suaza të programit konkurrues është lidhur marrëveshje për shërbime mes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian me të cilën është paraparë shfrytëzim i ndihmës teknike për Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Maqedoni./Telegrafi/