Vendet e rajonit janë duke ashpërsuar dënimet për bizneset që nuk janë të pajisura me arka fiskale apo pajisje përcjellëse të tyre. Kështu në Maqedoni afati i fundit që bizneset të vendosin arkë fiskale me pajisje GPRS është 31 janari,2015.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për të Hyra Publike këtë obligim duhet ta kryejnë rreth 55 mijë obligues tatimor. Pjesa më e madhe e kompanive kanë vendosur arka fiskale me GPRS, mirëpo ata që nuk kanë instaluar do të gjobiten me 3250 euro po mundet edhe të mbyllen përkohësisht.
Instalimi i ri lëviz nga 200 deri 450 euro. Ndërkohë në Kosovë sistemi GPRS për arka fiskale është aplikuar që nga fillimi i këtij procesi në vitin 2010. Ai mundëson transferimin e të dhënave për shitjet nga memoria fiskale e arkës në serverin e Administratës Tatimore.
Megjithatë përderisa bizneset në Maqedoni tashmë janë të obliguara që sërish të shpenzojnë për pajisje fiskale një gjë të tillë nuk kanë nevojë ta bëjnë bizneset në Kosovë pasi sistemi GPRS është i përfshire qysh ne fillim te projektit.
Edhe në Shqipëri muajt e fundit janë ashpërsuar kontrollet e bizneseve për pajisje fiskale. Institucionet shtetërore patën paralajmëruar ndjekje penale për gjitha bizneset që funksionojnë pa arka fiskale. Ndërkohë në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë pa u fiskalizuar rreth 22 mijë biznese që përbëjnë gjysmën e bizneseve aktive në vend, duke i lenë hapësirë evazionit fiskal. /Telegrafi/