Punëtorët turistik nga Maqedonia dhe Bullgaria do të punojnë në “Shtegun e përbashkët turistik” të përbashkët me të cilën pritet të rritet numri i turistëve nga vendet e treta drejt këtyre dy vendeve, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Kjo është njoftuar në konferencën e sotme për shtyp të kryetarit të Odës turistike pranë Lidhjes së odave ekonomike (LOE) Arkan Kerim dhe ambasadorit të Republikës së Bullgarisë në Maqedoni, Ivan Velkov Petkov.
Sipas tij një nga prioritetet e këtij bashkëpunimi është nivelimi i turistëve nga Bullgaria dhe Maqedonia sepse siç tha në bazë të të dhënave statistikore vitin e kaluar 470 mijë shtetas të Maqedonisë kanë vizituar Bulgarinë ndërkohë që vetëm 52 mijë e 748 bullgarë kanë ardhur në Maqedoni.
“Potenciali për bashkëpunim në fushën e turizmit është shumë i madh, por pengesë është infrastruktura. Nga Shkupi në Sofje arrihet për të paktën katër orë përfshirë pritjet në kufi. Kjo duhet të zgjidhet. Maqedonia dhe Bullgaria janë të lidhura historikisht. Ohri mbetet destinacioni numër një për mysafirët bullgarë nga shkaku i bukurive të liqenit dhe mbi 300 kishat”, tha Petkov.
Kreu i Odës Turistike-Hoteliere të Maqedonisë, Arkan Kerim tha se numri i vogël i turistëve që vijnë nga Bullgaria është si rezultat i zhvillimit të shpejtë të kapaciteteve turistike në vet Bullgarinë, siç janë ato në Bansko dhe Borovec, ku shërbimi është në nivel më të lartë se edhe ato në Greqi.
“Ne duam që një numër sa më i madh i turistëve nga Maqedonia të vizitojnë Bullgarinë dhe anasjelltas, sa më shumë turistë bullgarë të vijnë tek ne. Duhet të ketë reciprocitetin këtë segment. Kemi objekte të mjaftueshme, por gjithashtu kemi mundësi për të ndërtuar të reja nëse është e nevojshme”, ka thënë Kerim.
Bullgaria e cila vitin e kaluar ka evidentuar rreth gjashtë milionë turistë, sivjet pret shumë më tepër, sepse Egjipti dhe Turqia për shkak të sulmeve terroriste, gati se nuk figurojnë në ofertat e jashtme./Telegrafi/