Për katër ditë në fokus të opinionit është arrestimi dhe zgjidhja ligjore e ngjarjeve që ndodhën më 27 prill në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Dje, Kuvendi i Maqedonisë në seancë e miratoi kërkesën e Gjykatës Penale për paraburgim të deputetëve Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski, me çka përfundoi procedura e paraparë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutë për heqjen e imunitetit të gjashtë deputetëve nga koalicioni OBRM-PDUKM për shkak ngjarjeve nga 27 prilli në Kuvend.
Grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së nuk mori pjesë në seancë. Sipas tyre, seanca është “një farsë politike, qëllimi i të cilës është revanshizmi, mbjellja e urrejtjes dhe shkatërrimi i të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”.
Pas përfundimit të seancës kuvendore, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i nënshkroi vendimet për heqjen e imunitetit gjashtë deputetëve dhe ato tashmë janë dërguar deri te Gjykata Penale.
Gjashtë deputetë janë pjesë e 36-të personave të cilët Prokuroria Publike Themelore i ndjek për “rrezikimin terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Siç deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, kërkohen edhe gjashtë prej gjithsej 36-të personave.
Arrestimet e të dyshuarve për ngjarjet nga 27 prilli filluan të martën kur mes të arrestuarve ishin edhe ish ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i DSK-së, Mitko Çavkov, gjashtë deputet dhe udhëheqësit e nismës qytetare “Për një Maqedoni të përbashkët”. Një pjese prej tyre u është caktuar masa paraburgim prej 30-të ditëve, ndërsa një pjese arrest shtëpiak.
Ish ministri i Punëve të Brendshme Çavkov, të cilit gjithashtu i është caktuar masa paraburgim prej 30-të ditëve, mban grevë urie.
Për shkak ngjarjeve aktuale, OBRM-PDUKM-ja opozitare çdo ditë i bllokon rrugët dhe mbanë protesta para Gjykatës Penale në Shkup./Telegrafi/