Site icon Telegrafi

Maqedoni: Virusi rrit papunësinë tek të rinjtë

Foto: AIM

Kriza që ka shkaktuar Covid-19 ka lënë pa punë mbi 12 mijë persona dhe prej tyre 3 mijë e 300 janë të rinj nën moshën 29, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Punësim në Maqedoninë e Veriut. Në këto të dhëna nuk janë përfshirë ata të rijnë të cilët kanë qenë pjesë e ekonomisë informale dhe që për shkak të koronavirusit kanë humbur vendin e punës.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e të rinjve theksojnë se pandemia i ka dhënë një goditje të rëndë përfshirjes së të rinjve për faktin se të rinjtë kanë kapital të dobët social, u mungon përvoja dhe vështirë arrijnë në pozita të sigurta për sa I përket vendit të punës.

“Në esencë mosha e tyre përkatësisht periudha pas përfundimit të procesit arsimor dhe nevojës që të gjejnë një vend pune sa më parë i detyron të rinjtë që pranojnë punë me angazhime joadekuate, marrëveshje pune në afat të shkurtër kohor, pa paga dinjitoze, dhe kjo mundëson që atyre më lehtë tu hapet dera për largimin nga puna”, thotë Biljana Dukovska nga Platforma Kundër Varfërisë.

Agjencia për Punësim në ndërkohë nxjerr në pah se numri më i madh i të rinjve që kanë humbur vendin e punës si rrjedhojë e krizës që ka shkaktuar pandemia e koronavisrusit janë me arsim fillor dhe të mesëm, ndërkohë si sektorë më të goditur mbeten industria e përpunimit, tregtia si dhe sektori i gastronomisë dhe agjencitë turistike.

Ndryshe shkalla e paanësisë në bazë të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës në mesin e të rinjve është mbi 35 për qind.

Exit mobile version