Telegrafi

Maqedoni, tetë milionë euro në dispozicion të komunave për projekte infrastrukturore

Komunat në Maqedoni prej sot do të mund të aplikojnë për projekte të reja kapitale me mjete prej 8 milionë eurove nga projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale.

Ministria e Financave ka shpallur thirrje publike për ndarjen e mjeteve të projektit, të cilin e realizon me mbështetje të Bankës Botërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga Ministria e Financave thonë se me këto tetë milionë euro, komunat do të mund të financojnë projekte të ndërtimit ose rikonstruimit të sistemit të ujësjellësit, kanalizimit dhe menaxhimit me ujërat e zeza, infrastrukturës lokale, efikasitetit energjetik, ndërtimit të kopshteve për fëmijët, parqeve dhe projekte tjera.

Vetëm përmes këtij projekti, në nivel vjetor nga qershori i vitit 2017 deri në qershor të vitit 2018, janë realizuar 72 projekte kapitale në 41 komuna./Telegrafi/