Telegrafi

Maqedoni, do të shfuqizohet shtesa për fëmijën e tretë

Foto: Ilustrim

Ndryshimet në Ligjin për mbrojtje të fëmijëve parashohin shfuqizim të shtesës për fëmijën e tretë, e cila u vendos në vitin 2009 nga qeveria e OBRM-PDUKM-së.

Propozim-ligji tashmë është publikuar nga ana e Regjistrit Kombëtar Elektronik, ndërsa tani do të duhet të shqyrtohet nga qeveria dhe të miratohet nga deputetët në Kuvend, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Shtesa për fëmijën e tretë do të shfuqizohet pasi nuk ka dhënë efekte pozitive për rritjen e natalitetit, siç ishte pritur në kohën kur u miratua nga qeveria e kaluar.

“Në vend të shtesës për fëmijën e tretë, me ndryshimet ligjore parashihet ndihmë e njëhershme  për çdo fëmijë të lindur. Për fëmijën e parë ndihma do të jetë 5 mijë denarë, për të dytin 20 mijë denarë, ndërsa për të tretin 60 mijë denarë”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Sipas ligjit të deritanishëm, nënat kanë marrë 8084 denarë shtesë për fëmijën e tretë deri 10 vjet, ndërsa për fëmijën e katërt shtesa ka qenë 11.267 denarë në afat prej 15 viteve./Telegrafi/