Papunësia tek të rinjtë është dyfish më e madhe nga shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend dhe është 47 për qind. Vështirësitë e të rinjve që të kalojnë shpejtë prej shkollës në drejtim të punës është si rezultat i zbrazëtirës që paraqitet në aftësitë që ata i kanë dhe ato që i kërkon vendi i punës. Ekspertët thonë se kjo zbrazëtirë është aq e madhe sa që punëdhënësit parapëlqejnë të kenë punëtorë me ndonjë përvojë, në mënyrë që të ulin shpenzimin e integrimit të atij punëtori. Siç thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, te papunësia e të rinjve janë dy faktorë kyçe – hapja e vendeve të reja të punës dhe ndryshimi i sistemit arsimor.
“Shembull i mirë është informatika, e cila mësohet në arsimin sipëror. Por të rinjtë janë mjaft fleksibil, më të lirë dhe nuk janë aq në disponim të punojnë me pagë të ulët. Kështu paraqitet kuadër deficitar, si informaticientët, që të largohen nga vendi. Sa për krahasim, në Gjermani, Greqi dhe vende të tjera evropiane bëhen programe të posaçme ku përcillen nevojat e tregut”, shpjegojnë nga LSM. Sipas Institutit për Hulumtime Ekonomike dhe Politikave “Finance Think”, vërehet lëvizje e ndryshme e shkallëve të papunësisë së të rinjve gjatë tri viteve të fundit në përputhje me gupmoshat.
“Tek grupmosha 15-19 vjet, dukshëm vërehet rritja e shkallës së papunësisë, edhe atë për 12 për qind të pikëve, ndërsa te dy grupmoshat tjera ka ulje të papunësisë për 3 deri në 5 për qind të pikëve. Duhet të vërtetohet se cilat masa dhe shërbime japin rezultate më të mira që do të sjellin deri te përdorimi më efikas i mjeteve të kufizuara financiare të dedikuara për masat aktive për punësim dhe do të formulohen masa, programe dhe shërbime në pajtim me nevojat e vërteta të të rinjve, por edhe të të gjitha kategorive tjera të personave të papunësuar”, shpjegojnë nga “Finance Think”. Prej aty thonë se është i nevojshëm një set i masave që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të targetojnë të rinjtë prej moshës 15 deri në moshën 19 vjeçare.
“Këto aktivitete duhet të jenë në drejtim të motivimit të tyre dhe mentorimit personal në procesin e përfshirjes në tregun e punës ose derikualifikimin e tyre me aftësi dhe njohuri në pajtim me kërkesat e tregut të punës, që do të kishte sjellë deri në rritjen e punësimit të tyre”, konsiderojnë nga instituti. Ata thonë se duhet të sigurohen grante për praktikë, përmes të cilave kompania do të mundësojë personi i ri i porsa punësuar të kalojë së paku tri vende të ndryshme të punës në kuadër të kompanisë në lidhje me aftësitë që i posedon, dhe pastaj të japë propozim për atë çka më mirë i përshtatet aftësive të tij.
“Është e nevojshme të aplikohet praktikë e domosdoshme gjatë shkollimit, promovim i arsimit joformal dhe subvencionim i kompanive me teknologji të lartë për dizajnim dhe porosi të kurseve afatshkurta për të rinjtë që nuk janë as në arsim, as të punësuar, si dhe zhvillim të trajnimeve shumë specifike (si p.sh saldues me argon), me çka do të sigurohen mundësi për personat e papunë të fitojnë aftësi në rast të punësimit të pamjaftueshëm”, shtojnë nga “Finance think”. Profesori universitar Marjan Petreski konsideron se papunësia e të rinjve është problem i vazhdueshëm në Maqedoni dhe shënon trend të butë të uljes.
“Të rinjtë ende mbeten kategoria më e ekspozuar e papunësisë. Gjithashtu, e lartë është edhe shkalla e atyre të rinjve që nuk janë të punësuar, por nuk janë as edhe në asnjë lloj arsimi ose trajnimi. Vështirësitë e të rinjve që të kalojnë shpejtë prej shkollës në drejtim të punës është si rezultat i zbrazëtirës që paraqitet në aftësitë që ata i kanë dhe ato që i kërkon vendi i punës”, shpjegon Petreski. Shpesh kjo zbrazëtirë është aq e madhe, thotë ai, sa që punëdhënësit parapëlqejnë të kenë punëtorë me ndonjë përvojë, në mënyrë që të ulin shpenzimin e integrimit të atij punëtori me detyrat e punës.
“Elementi i dytë i rëndësishëm janë pritjet e larta që të rinjtë i gjenerojnë pas përfundimit të shkollimit. Ata shpesh presin punë ideale, me pagë të lartë, dhe shumë shpesh fokusin e vendosin te diploma, në vend se te aftësitë që i posedojnë. Gjithsesi, problemi i pagesës është problem i përgjithshëm i tregut të punës, posaçërisht në kushte kur të rinjtë lehtë fitojnë informatë për pagat në tregjet e huaja të punës, dhe ajo shton nxitjen e dëshirës së tyre për të migruar”, thekson Petreski.