Telegrafi

Maqedoni, të hënën fillojnë negociatat me partnerin strategjik për Korridorin 8

Qeveria e RMV-së sot ka marrë vendim me të cilin e ka obliguar Komitetin për negociata për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 t’i fillojë negociatat me partnerin strategjik më 6 shkurt 2023.

Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, Qeveria me propozim të Komitetit për negociatat për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8, e obligoi ekipin negocues për të gjitha hollësirat dhe kushtet e Marrëveshjes për ndërtim, për projektin për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (pjesa Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projektit për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe për Korridorin 10 (pjesë e autostradës Prilep – Manastir), që t’i fillojë negociatat me partnerin strategjik më 6 shkurt të vitit 2023.

“Për epilogun e negociatave u konkludua që ekipi negociator të formojë Raport, që do ta dorëzojë në shqyrtim dhe miratim deri te Komiteti për negociata, në afat prej 21 ditëve nga dita e përfundimit të negociatave”, thuhet në kumtesën nga seancat e mbajtura të 124-të dhe 125-të të Qeverisë.

Qeveria po ashtu, e shqyrtoi edhe Informatën lidhur me nevojën nga parashtrimi i VBIF aplikacionit, për grant investues, për ndërtimin e rrugës eksprese A2, pjesa Kriva Pallankë – Dllaboçicë – Stracin (Çatall), si pjesë e Korridorit 8.

“Ndërtimi i rrugës eksprese A2, pjesa Kriva Pallankë – Dllaboçicë – Stracin (Çatall) u implementua me hua nga Banka Botërore, respektivisht me ‘Projektin për ndërtimin dhe zhvillimin e rrugëve’”, thuhet në kumtesë.