Rreth 30 aktivistët e protestave “Për Maqedoni të Përbashkët”, simpatizues dhe deputetë nga radhët e OBRM-PDUKM-së, të cilët janë burgosur për dhunën e 27 prillit në kuvend, festat do t’i kalojnë në burgun hetimor në Shkup. Siç duket, atje do ta presin edhe vendimin e Prokurorisë për krim të organizuar, nga ku për TV21 thonë se po punojnë në lidhje me këtë lëndë dhe se brenda afateve ligjore do të sjellin vendim për akuzë.
“Ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për përcaktimin e fakteve dhe rrethanave në këtë lëndë. Bëhet fjalë për një lëndë të madhe duke pasur parasysh numrin e personave të dyshuar. Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion sipas autorizimeve ligjore dhe brenda afateve të caktuara me ligj, do ta sqarojë këtë rast dhe do të sjellë vendim adekuat”, nga Prokuroria Publike e RM-së.
Hetimi për dhunën në Kuvend dhe për sulmin ndaj deputetëve, gazetarëve dhe personave të tjerë, filloi më 28 nëntor, ndërsa afati për ngritjen e akuzës është deri në fundin e majit të vitit 2018. Ligji lejon vazhdim të këtij afati, për lënde nga sfera e krimit të organizuar. Pas skadimit të afatit 30 ditor të paraburgimit, të mërkurën, me vendim të Gjykatës Penale, të dyshuarit morën edhe 30 ditë tjera paraburgim. Disa prej avokatëve të tyre, tashmë kanë dorëzuar ankesë deri tek Gjykata e Apelit.
Pesë persona ende janë në arrati. Për ta, policia në fillim lëshoi fletarrest shtetëror, por do të lëshohet edhe fletarrest ndërkombëtar. Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski para dy ditësh deklaroi se beson se të dyshuarit nuk janë larguar nga vendi.
“Që nga momenti i lëshimit të fletarrestimit nuk kemi gjetur asnjë nga këta persona. Në qoftë se i gjejmë menjëherë do ta informojmë opinionin publik. Unë mendoj se ata ende janë në Maqedoni”, tha Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ndërmjet atyre të cilët janë në arrati janë edhe Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Nikolla Mitrovski – Kolo. LSDM-ja pohonte se këta të dy janë përfshirë në këto ngjarje, përkatësisht se e kanë drejtuar turmën drejt deputetëve. Partia opozitare, OBRM-PDUKM atëherë dhe tani reagon se deputetët dhe të burgosurit e tjerë akuzohen për vepër të rëndë, dhe në mënyrë kategorike kërkon që ata të lirohen. Me këtë gjë, në një farë mënyre e kushtëzon prezencën e tyre në Kuvend. Shumica parlamentare shpreson se do ta fitojë përkrahjen e OBRM-PDUKM-së për ligjet kyçe për të cilët nevojitet shumicë prej dy të tretave.