Sot në Gjykatën Penale në Shkup duhet të vazhdojë gjykimi për ngjarjet e përgjakshme më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.
Procedura gjyqësore ndodhet në fazën e dëshmive, ndërsa në seancën e sotme pritet të prezantohen video-inçizime nga kamerat e sigurisë në Kuvend, njofton Telegrafi Maqedoni.
Trupi gjykues për këtë lëndë në seancën e fundit vendosi që të akuzuarin Sasho Markovski, ta gjykojë ndaras nga të tjerët, për shkak të gjendjes shëndetësore të tij. Ai në njërën nga seancat e javës së kaluar u sëmur, ndërsa tani ndodhet në spitalin “8 Shtatori”.
Gjykimi për Markovskin do të vazhdojë pas një muaji, ndërsa paraprakisht gjykata do të kërkojë mendim për gjendjen shëndetësore të tij.
Përndryshe, për 27 prillin të akuzuar gjithsej janë 33 persona, prej të cilëve 31 për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” dhe 2 persona për veprën “nxitje”./Telegrafi/