Drafti-ligji për origjinën e pasurisë, me të cilin parashikohet konfiskimi i pronës së arritur në mënyrë të paligjshme, do të ulë praninë e korrupsionit në mesin e zyrtarëve, por edhe të qytetarëve, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.
Drafti i cili ende është në diskutim publik, parashikon sekuestrimin e pronës në vlerë prej më shumë se 30 mijë euro, nëse nuk ka prova sesi është arritur. Nga Komisioni Antikorrupsion madje kërkojnë të konfiskohet çdo që për të cilën nuk ka dëshmi sesi është fituar.
“Qëndrimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është se nuk duhet të ketë prag mbi të cilin duhet të shqyrtohen lëndët, por objekt i hetimit të jetë çdo gjë që mund të jetë arritur në mënyrë ilegale, apo përmes korrupsionit”, ka deklaruar Biljana Jovanovska, kryetare e këtij komisioni.
Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Lupço Nikollovski, thotë se fjalën në këtë betejë kundër korrupsionit do ta kenë edhe qytetarët.
“Çdo herë kur institucionet dhe qytetarët do të alarmojnë se dikush ka blerë ndonjë makinë në vlerë prej 100 mijë euro, apo ndonjë pronë tjetër, menjëherë do të nisin procedurat e verifikimit të pasurisë. Kjo deri tani ishte e pamundur pasi ligji nuk e lejonte një gjë të tillë. Me ndryshimet që janë hartuar, kjo tani do të mund të bëhet bazuar në dyshimet dhe dëshmitë. Policia financiare e cila do të ketë do autorizime më të mëdha do të nisë procedurën që të kemi një epilog të shpejtë gjyqësor”, ka deklaruar Nikollovski.
Por, ekspertët tërheqin vërejtjen se ndryshimet që po hartohen mund të keqpërdoren për qëllime politike për ndjekjen vetëm të atyre personave që kritikojnë apo kanë mendime ndryshe nga pushteti.
Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Antikorrupsion, thotë se qeveria ka bazë ligjore për të miratuar ndryshimet, pasi ligji ekziston dhe ai mund të plotësohet, por ai dyshon në sinqeritetin e këtij pushteti.
“Unë mendoj se kjo është sikur të gjitha punët që bëhen para zgjedhjeve, si një përpjekje për shpëlarjen e trurit të njerëzve apo votuesve se ja pas katër vjetësh do të merremi edhe me këtë problematikë. Unë këtë edhe shoh edhe si përpjekje për shfajësim apo si përpjekje gjoja për të treguar se në qeverinë aktuale nuk ka korrupsion dhe pasuri të arritur në mënyrë të paligjshme. Jam shumë skeptik dhe nuk besoj se diçka e tillë mund të realizohet. Nuk ka frymë të tillë që mund të sjellë një ligj të tillë dhe të jetë i zbatueshëm”, ka deklaruar Musa.
Miodrag Llaboviq, profesor i së Drejtës Juridike, thotë se hetimi duhet të bëhet nga një trup i pavarur, pasi zbatimi i një ligji të tillë nuk mund të bëhet nga pushteti meqë mund të ketë keqpërdorime të shumta.
“Nëse hetimin do ta bënte Drejtoria e të Ardhurave Publike, në këtë rast kemi të bëjmë me institucion shtetëror. Do të ketë dyshime se ky organ hetimet do të bëjë vetën ndaj atyre personave që janë kritikues të pushtetit apo që kanë mendime të ndryshme nga pushteti, qofshin ata politikanë, qarqe afariste, por edhe intelektualë, mendimet e të cilëve mund të mos i pëlqejnë pushtetit”, thotë Llaboviq.
Në Maqedoninë e Veriut ende asnjë zyrtari apo ndonjë personaliteti tjetër nuk i është konfiskuar pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme. Një afarist i afërt me pushtetin e kaluar ndodhet në vuajtje të dënimit prej tre vjet burg për përvetësim të 17 milionë eurove. Ai tani kërkon që t’i falet pjesa e mbetur të burgut, ndërkohë që s’ka asnjë proces për kthimin e parave të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kur mori pushtetin në vitin 2017 kishte premtuar vendosjen e një numëratori në sheshin e Shkupit për të numëruar, siç ka thënë, paratë që do të konfiskoheshin nga pushtetarët e korruptuara, por premtimi i tij ende nuk është përmbushur.