Siguria dhe shëndeti gjatë punës (SSHP) në Maqedoni ende nuk është në nivel të kënaqshëm, u tha në seminarin dyditor në Pehçevë, të cilin e organizon Shoqata e Maqedonisë për mbrojtje gjatë punës.
Siç theksoi Andrijana Zafirovska nga Shoqata, qëllimi i trajnimit është bartja e diturive dhe aftësive për diseminim, si dhe këmbim i praktikës së mirë mes profesionistëve nga fusha e SSHP-së, punëdhënësit dhe të punësuarit përmes prezantimit të moduleve të përgatitura nga ekspertë eminentë, por edhe të reviduar nga ana e institucioneve të BE-së.
“Është fakt se gjendja për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës ende nuk është sjellë në nivel të kënaqshëm. Për këtë flasin statistikat në pajtim me raportet vjetore të publikuara për aksidentet gjatë punës. Për momentin, e përgatisim raportin vjetor, i cili do të publikohet më 28 prill, Ditën ndërkombëtare të sigurisë dhe shëndetit gjatë punës. Nevojitet t’i heqim syzat roze dhe të gjithë të angazhohemi për përparimin e kësaj fushe të rëndësishme, sepse bëhet fjalë për jetët e njerëzve”, theksoi Zafirovska.
Këshilla dhe konsultime, fushata dhe programe promovuese, kulturë në implementimin e punës, kuptim të gjerë të rolit të edukimit, praktika më të mira dhe motivim financiar, janë prioritete të SSHP-së.
“Siguri dhe shëndet gjatë punës është shumë më tepër se përmbushja e dispozitave ligjore. Nënkupton rol aktiv të punëdhënësve për parandalim të aksidenteve dhe lëndimeve gjatë punës në bazë të parimeve të cilat nënkuptojnë ndërmarrjen e masave në raport të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me punën, identifikim të asaj që mund t’i dëmtojë njerëzit, identifikim të rreziqeve dhe vlerësim të rrezikut. Duhet edhe të bashkëpunohet me punëtorët”, tha profesori i drejtës së punës, Agim Shaqiri.