Nga gjithsej 220 mjek të diplomuar brenda vitit, 173 prej tyre ikin jashtë vendit për të ushtruar profesionin. Këta të dhëna të shpalosura ditë më parë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë kanë nxitur reagime të shumta tek shoqatat joqeveritare që merren me probleme në sektorin e shëndetësisë.
Nga shoqata e mjekëve të përgjithshëm dhe familjar thonë se nuk është vetëm aspekti financiar ai i cili shtyn mjekët të ikin nga vendi. Sipas tyre kaosi që ekziston në Shëndetësinë publike, mungesa e respektit ndaj mantilit të bardhë dhe mos reagimi i institucioneve kompetente për mbrojtjen e mjekëve shtynë ata që të lëshojnë vendin. Nga kjo Shoqatë shprehen të zhgënjyer nga autoritetet Shëndetësore.
“Ka kohë që Oda e Mjekëve së bashku me Shoqatat joqeveritare siç është edhe shoqata e mjekëve shqiptarë të Maqedonisë kemi bërë një draft version të ligjit i cili ende nuk është sjellë në Parlamentin e Maqedonisë. Nëse ky ligj sillet do të bëhet përmirësimin i rrogave të tyre”, deklaroi Miroslava Shevçenko.
Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar Nevzat Elezi shpreh nevojën për ekzistimin e një ligji të posaçëm i cili do t’i mbronte interesat dhe nevojat e mjekëve. Sipas tij ekzistimi këtij ligji dukshëm do të kishte përmirësuar statusin e mjekëve, me çka edhe do të kishte ndaluar migrimin e tyre.
Sipas analizave të Odës së Mjekëve, nëse kjo gjendje nuk gjen përmirësim, pas tre vitesh Maqedonia do të përballet me mungesë të theksuar të kuadrit mjekësor./alsat/