Disa shkolla fillore kanë shfrytëzuar pushimet verore për të rikonstruar objektet e tyre. Në komunën e Haraçinës janë kryer aktivitete ndërtimi në tre objekte shkollore, “Skënderbeu”, “Abdyl Frashëri” dhe shkolla periferike e fshatit Orllancë. Kreu i komunës, Ridvan Ibrahimi tha se të gjitha aktivitet ndërtimore janë kryer me investim të Ministrisë së Arsimit, komunës dhe donatorëve.
“Në këto tre objekte të shkollave kemi shfrytëzuar në maksimum pushimin e gjatë ose pushimin veror dhe kemi punuar në shumë fusha, në shumë segmente për ta transformuar një gjendje shumë të mirë, të kohës dhe modern. Shkolla fillore “Abdyl Frashëri” me një kapacitet mbi 1 mijë nxënës, këtë shtator do i pret me klasa të pajisura mirë me tabela interaktive dhe me kabinete të informatikës dhe për lëndë të tjera. Me shumë bindje e them që nuk do të ketë mungesa për të mbajt një orë edukativo arsimore siç e do koha dhe mendoj që e kemi për obligim”, tha Ridvan Ibrahimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Në shkollën fillore “Liria” në Shkup përveç pastrimit gjeneral është bërë edhe dezinfektimi i shkollës. Drejtoresha Teuta Idrizi gjithashtu tha se është kryer riparimi i këndeve në klasa të caktuara.
“Si çdo vit ne kemi pastrimin gjeneral të shkollës, të hapësirave të shkollës, të klasave, të kabineteve dhe mundohemi që kjo të jetë një pastrim më rrënjësor që kur të na kthehen fëmijët në shkollë t’ju ofrojmë edhe pastërtinë edhe kushtet. Nga ana tjetër I bëjmë të gjitha ato përgatitjet për shkak se ne punojmë me nxënës dhe shumica e atyre materialeve janë harxhuese të cilat edhe mund të shkatërrohen, bëjmë riparimin e tyre, rregullimin e këndeve e kështu me radhë së bashku me mësimdhënësit që të fillon procesi si është më mirë”, tha Teuta Idrizi, drejtore e sh.f “Liria”.
Viti i ri shkollor 2024-25 do te filloj më 2 shtator për arsimin fillor dhe të mesëm. Në vitin e ri shkollor shfuqizohet pushimi pranveror të cilin nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm e shfrytëzuan nga 29 prilli e deri më 6 maj. Siç tha ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ditët e lira nuk dhanë asnjë rezultat pozitiv por vetëm se komplikuan realizimin e procesit edukativo arsimor. Gjithashtu, Janevska tha se viti shkollor do të përmbyllet më 10 qershor, përveç maturantëve./Alsat.mk