Telegrafi

Maqedoni, rritet numri i të prekurve nga alergjitë

Sa vjen e rritet numri i personave të prekur nga alergjitë e pranverës. Nga Klinika e Pulmologjisë dhe Alergologjisë në Shkup thonë se nga java e kaluar 20 deri 30 pacientë në ditë paraqiten me simptome të alergjisë.

Drejtori i kësaj Klinike Dejan Dokiq thotë se ushqyerja jo e shëndetshme si dhe ndotja e ajrit janë shkaktarët të cilët shpien deri në rritjen e theksuar të numrit të pacientëve.

“Këtë javë, me përmirësimin e motit ka filluar të rritet numri i pacientëve rreth 20-30 pacientë në ambulancat tona çdo ditë drejtohen me simptome të alergjisë. Për ndryshe, në Maqedoni 23,1% e qytetarëve vuan nga alergjitë, por këto janë të dhëna të vitit 2003. Tani me studimin e fundit epidemiologjik konsiderohet se që këtë vit rreth 25-30 % e qytetarëve vuajnë nga alergjitë, që është numër i lartë. Rritet numri, dhe ky është një trend që përfshinë gjithë Evropën Perëndimore, si pasojë e mënyrës së jetesës, mënyra e të ushqyerit”, u shpreh për Alsat-M, Dejan Dokiq.

Sipas Dokiq, vaksinimi si dhe shmangia e kontaktit me gjelbërimin është mënyra më e sigurtë për evitimin e alergjive.

Alergjitë e pranverës manifestohen me teshtima, lotim të syve, kruarje të fytit dhe hundës. Sipas alergologëve moshat nga 5-60 vjeç janë ata të cilët preken më së shumti nga këto alergji. Ndryshe, në Maqedoni sezona e alergjive nis nga muaji mars. Bora e cila kaploi vendin gjatë marsit ka vonuar çeljen e disa drunjve dhe bimëve, por megjithatë kjo nuk ka penguar që tek shumë qytetarë të fillojë paraqitja e simptomeve.