Numri i të lënduarve dhe të vdekurve në vendin e punës në shtet po rritet, sindikatat alarmojnë. Shumica e punëtorëve të vdekur janë regjistruar në bujqësi, pasuar nga ndërtimtaria, transporti dhe metalurgjia e zezë. Nuk ka një numër zyrtar të publikuar nga institucioni shtetëror për këtë bilanc të zi, përveç të dhënave të MPB-së, gjë që tregon se 24 vdekje u regjistruan vitin e kaluar në vendin e punës. Siç thonë nga Shoqata e Sigurisë në punë, nuk dihet sigurt se sa njerëz kanë humbur jetën derisa kanë qenë në vendet e tyre të punës.
“Ajo që ne konkludojmë është se numri i të lënduarve dhe vdekjeve në vendet e punës po rritet. Ajo që shohim se ndodh është se gjithnjë e më pak parandalojmë, gjithnjë e më shumë po ballafaqohemi me pasojat e sigurisë së pazbatuar dhe shëndetit në punë”, tha Milan Petkovski nga Shoqata maqedonase për siguri në punë.
Ligji për siguri në vendet e punës është shkruar në letër, por nuk zbatohet në terren, argumentojnë sindikalistët. Fokusi duhet të jetë kryesisht në parandalimin, thotë Jakov Nedelkov nga sindikata e arsimit. Ai thotë se kushtet e punës janë katastrofike në sektorin e tij, nga institucionet parashkollore deri tek ato të arsimit të lartë.
“Dua të jem autokritik. Ne do të duhet ta njohim ligjin, ti dimë mundësitë tona ligjore, dhe t’i kërkojmë punëdhënësit t’i zbatojë ato”, theksoi Jakim Nedelkov.
Problemi kryesor është se çdo vit në të njëjtat sektorë, ndodh shumica e aksidenteve. Por, pavarësisht kësaj, institucionet shtetërore nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar gjërat, thonë sindikatat. Të dhënat nga organizatat joqeveritare, të cilat thonë se i kanë pranuar kryesisht nga mediat, janë 33 të vdekur vitin e kaluar dhe rreth 1,500 të lënduar në vendet e tyre të punës.