Site icon Telegrafi

Maqedoni, respektimi i barazisë gjinore në kabinetin e ri qeveritar është shumë i ulët

Ekspertet për barazi gjinore janë të zhgënjyera nga përfaqësimi i grave në Qeverinë e re. Thonë se është skajshmërish e turpshme që një vend që synon integrimin në BE, nga gjithsej 19 ministra, të ketë vetëm 4 gra, në mesin e të cilave asnjë shqiptare. Savka Todorovska nga Këshilli Kombëtar për barazi gjinore thekson se në situatë kur nuk njihet barazia gjinore dhe kur gruaja nuk ka mundësi të barabarta me burrat është e patjetërsueshme që përfaqësimi i drejtë gjinor të rregullohet me ligj.

“Krahasuar me Qeverinë e kaluar, kur shkaku i numrit më të madh të ministrave kishim 6 gra, shikuar me përqindje jemi njësoj. Por për herë të parë na ndodhë të mos kemi asnjë grua nga bashkësitë etnike dhe nga partitë e tjera politike në pushtetin ekzekutiv. Kjo për ne si rrjet i organizatave të grave nga të gjitha strukturat në vend është skajshmërish e pakënaqshme. As nuk kemi imagjinuar se kjo mund të ndodhte. Thjeshtë kjo tregon se Qeveria nuk njeh barazi gjinore – tha Savka Todorovska, Këshilli Kombëtar për Barazi Gjinore.

Ekspertja për barazi gjinore, Xhane Kreshova i cilëson partitë shqiptare si parti burrash, të cilat nuk iu japin hapësirë grave të vihen në pozita vendim-marrëse, edhe pse janë shumë më të afta. Megjithatë e dëshpëruar nga situata, ajo nuk amniston as vetë gratë për mos-ngritjen e zërit dhe mos-mbështetjen e njëra-tjetrës.

“Ne jemi mësuar, nuk e kemi për herë të parë. Edhe në të kaluarën na ka ndodhur të mos kemi ministre shqiptare në Qeveri edhe pse kemi gra të zonja, madje edhe më të mira se tani që janë zgjedhur burra, përsëri ne vazhdojmë me atë avazin e vjetër. Kjo do të thotë që ne nuk jemi të organizuara si gra aq sa duhet dhe nuk solidarizohemi që t’i mbështesim gratë të jenë në Qeveri – deklaroi Xhane Kreshova, Eksperte për barazi gjinore.

Barazinë gjinore e ka respektuar vetëm LSDM-ja, me 4 gra ministre nga 11 gjithsej. Por BDI-ja nuk ka emëruar asnjë grua në krye të 6 dikastereve, ndonëse gjatë fushatës parazgjedhore është zotuar për barazi të plotë në të gjitha aspektet.

https://www.youtube.com/watch?v=aPd0meh1Ox8&feature=emb_title

Exit mobile version