Frika e punonjësve të statistikave nga kafshët shtëpiake është njëra nga vështirësitë jo formale që hasin në terren. Gjatë realizimit të regjistrimit provë të popullsisë, shtëpive dhe amvisërisë, në Kisella Vodë – njëra nga 13 komunat që po realizohet ky pilot, Monika thotë se po i marrin shumë kohë edhe banesat e zbrazëta që duhet t’i vizitoj derë më derë sipas renditjes në adresë. Sipas draft-ligjit të ri, anketuesit e kanë për detyrë t’i kontrollojnë rishtazi këto lokacione.
“Unë u shkoj në adresë deri në tri herë dhe nëse shoh se në atë objekt banimi jeton dikush, unë do t’i lë njoftim me shkrim se kemi qenë nga Statistika dhe sërish do të kthehemi në një kohë të caktuar. Tash për tash gjithçka është sipas planit, ueb-aplikacioni funksionon në rregull, sot e kemi ditën e parë të anketimit dhe shpresoj që ditët në vijim mos të kemi ndonjë problem teknik”, deklaroi Monika Vellkova, Regjistruese.
Ajo gjatë ecjes derë më derë madje hasë edhe në turistë apo staf ndërkombëtar, që banojnë në shtet më gjatë se një vjet, të cilët duhet të anketohen. Përveç kësaj kategorie dhe banorëve që janë rezident brenda shtetit, sipas Entit Shtetëror të Statistikave në regjistrimin e popullsisë do të përfshihen edhe ata, të cilët jetojnë jashtë kufijve për më shumë se 12 muaj. Kjo zonjë thotë se disa anëtarë të familjes së saj banojnë jashtë shtetit për punë dhe studime, për të cilët duhet t’i jep anketueses dokument me numrin amë, për të qenë relevant regjistrimi i tyre.
“Në këtë shtëpi jetojnë 8 anëtarë që do të thotë jemi tri familje veç e veç që jetojmë këtu. Po është mirë që bëhet regjistrimi se duhet të dimë sa jemi. Po në këtë adresë janë të regjistruar, por vajza ime studion në Slloveni edhe bashkëshorti im punon si shofer në Suedi”, thotë Tanja Doneva, banore.
Enti Shtetëror për Statistikë deri më 30 qershor regjistrimin provë do ta realizoj për herë të parë me anketim on-line, i cili do të bëhet në softuerin kompjuterik. Ndërsa, regjistrimi real do të zhvillohet në vitin e ardhshëm nga 1-21 prill, proces i cili do të kushtoj 8,5 milion euro. Në gjithë territorin do të jenë rreth 5 mijë regjistrues dhe qindra instruktorë në 45 rajone./Alsat/