Telegrafi

Maqedoni, refuzohet iniciativa qytetare për zgjatjen e pushimit të lindjes (Video)

Me arsyetimin për gabime tekniko-juridike, Komisioni Juridik Ligjvënës në Kuvend refuzoi iniciativën qytetare për vazhdimin e pushimit të lindjes nga 9 deri në 12 muaj për nënat që do lindin një fëmijë, dhe nga 9 në 18 muaj për nënat që do lindin binjak apo trinjak, njofton Alsat M.

Iniciativa ka të bëjë me ndryshime të një ligji i cili nuk ekziston në Maqedoni. Shkruhet për ndryshime në “Ligjin e Pushimit të Lindjeve” i cili nuk figuron, ndërsa mënyra e drejtë do ishte ndryshime në ligjin për Marrëdhënie Pune– deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Komisionit Juridik Ligjvënës LSDM.

OBRM-PDUKM-ja garantoi mbështetje për ligjin, vetëm pasi i njëjti të pësojë ndryshime.

Konsideroj se ne si Parlament duhet ta mbështesim këtë iniciativë dhe konsideroj se detyrimi jonë është që të sqarojmë se a është e rregulluar apo jo. Si deputetë mendojë se kjo iniciativë meriton vëmendje dhe kërkojmë që të vendoset në votim– tha Zoran Iliovski nga OBRM-PDUKM.

Deputetja e BDI-së Mirsada Asani kërkoi nga kolegët që të arrijnë marrëveshje për përmirësimin e propozimit.

Qytetarët e dinë se ekziston një ligj i tillë dhe mos të humbim tani kohë me këtë por të koncentrohemi në esencë. Apeloj për një mirëkuptim të përgjithshëm mes nesh, dhe mos përplasemi për gjëra që vërtetë nuk kanë vlerë dhe të bëhemi të bezdisshëm për qytetarët të cilët presin shumë nga ne– tha Mirsada Asani, BDI.

Unë jam që ajo të vazhdojë por realisht nuk jam edhe për atë që iniciativat qytetare të kalojnë përmes deputetëve sepse është një vlerë tjetër politike, kur vetë iniciativat qytetare hyn në procedura parlamentare dhe vazhdon si e tillë, por nënkupton që ajo iniciativë duhet t’i plotëson aspektet juridike– tha Fadil Zendeli, BESA.

Iniciativa do t’i rikthehet procedurave Parlamentare, pasi e njëjta të përmirësojë gabimet juridike nga ana e iniciuesve të saj. /Telegrafi/