Maqedonia e Veriut është riradhitur në vendin e nëntë sa i përket numrit të parashtresave nga qytetarëve, të cilët drejtësinë e kërkojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sipas të dhënave nga raporti vjetore i Gjykatës së Strasburgut, gjatë vitit të kaluar janë parashtruar 370 aplikime nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, prej të cilave 339 janë proceduar.
Ekspertët në fushën e drejtësisë thonë se shifrat flasin për pakënaqësinë e qytetarëve të vendit ndaj funksionimit të sistemit gjyqësor.
“Qytetarët e kënaqur nga puna e gjykatave të vendit sigurisht se nuk do të drejtohen, që rishtas drejtësinë ta kërkojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Është pakënaqësia ajo që i detyron qytetarët që drejtësinë ta kërkojnë në Strasburg edhe pse janë të vetëdijshëm se janë ashpërsuar në masë të konsiderueshme kriteret për të aplikuar në këtë gjykatë”.
“Megjithatë ata shpresat i kanë varur te dikush jashtë vendit, te dikush që do t’i ndihmojnë të gjejnë drejtësinë”, thotë Margarit Cacac Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut.
Ndërkaq për Besa Kadriun, njohëse e çështjeve juridike, mosbesimi i qytetarëve në sistemin gjyqësore do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë, pasi reformat në këtë lëmi zhvillohen me një dinamikë shumë të ngadaltë.
“Do të thotë ky trend do të vazhdojë përderisa nuk krijohen jo vetëm kushte që qytetarët t’i besojnë sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, por edhe autoritetet të krijojnë mekanizma të tillë të besueshëm, që do të bindin qytetarin se sistemi i drejtësisë do të jetë në mbrojtje të zgjidhjes së çështjeve të tyre”.
“Pra, Maqedonisë së Veriut në këtë rast i duhet një tendencë e jashtëzakonshme për të punuar në drejtim të krijimit të një sistemi të besueshëm gjyqësore për të arritur ato përmasa që kanë arritur të krijojnë vite me radhë autoritetet e drejtësisë jashtë vendit”, thotë Kadriu.
Ndërkohë, nga Komiteti i Helsinkit në Shkup theksojnë se gjykatat mbeten pengesa kryesore për realizimin e të drejtave të qytetarëve.
“Gjykatat mbeten pengesa kyçe për realizimin e të drejtave të njeriut në nivel kombëtare dhe kjo është arsyeja kryesore se pse ata vendosin që drejtësinë ta kërkojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, thotë Vildan Dërlanjin nga Komiteti i Helsinkit në Shkup.
Ai për Radion Evropa e Lirë sqaron se pjesa më e madhe e lëndëve që ngrihen në Gjykatën e Strasburgut nga ana e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, kanë të bëjnë me tejzgjatjen e lëndëve në afat të paarsyeshëm, mosrespektimin e procedurave gjatë procedimit të lëndëve dhe gjykimit, etj.
Dërlanjin njëherësh thekson se qytetarët e Maqedonisë së Veriut vendosin që drejtësinë ta kërkojnë në Strasburg për shkak se tanimë janë të informuar me mundësinë e këtillë.
“Është rritur popullariteti i kësaj gjykate. Qytetarët tani janë të vetëdijshëm se drejtësinë mund ta kërkojnë në Strasburg”, thotë ai.
Ekspertët juridikë njëherësh theksojnë se duhet punuar në drejtim të informimit të qytetarëve se si ata të plotësojnë parashtresat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që lëndët të mos hidhen poshtë si rrjedhojë e mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Ndryshe, në bazë të vendimeve që Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë gjatë vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut si shtet duhet t’u paguajë dëmshpërblim qytetarëve të vendit në vlerë prej 124 mijë e 900 euro, kjo bazuar në vetëm 12 vendimet gjyqësore nga 15 lëndë, por kjo vlerë pritet të rritet sepse pjesa më e madhe e aplikimeve është në rrjedhë e sipër./REL/