Site icon Telegrafi

Maqedoni, pushteti nuk heq dorë nga shpërndarja e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve

Qeveria nuk heqë dorë nga shpërndarja e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve, pavarësisht zërave në media se Maqedonia e Veriut, për shkak të obligimeve që i ka marrë nga agjenda reformuese për Planin për rritje, Qeveria është pajtuar që të mos ketë shpërndarje të këtyre dy trupave të pavarur.
Nga Qeveria për Alsat theksojnë se institucionet në shtet punojnë në pajtueshmëri me ligjet ekzistuese dhe Kushtetutën, ndërkaq të gjitha dokumentet që dalin patjetër duhet të jenë në pajtueshmëri me ligjet dhe Kushtetutën.

“Qeveria nuk heq dorë nga ideja për shpërndarje të Këshillit Gjyqësor Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve që paraqet reformë në këto dy institucione për të cilat publikisht ftojmë në debat dhe rikujtojmë se kanë nën 2 për qind besim…E kuptojmë se nga shpërndarja e këtyre institucioneve ka shumë që frikësohen dhe shqetësohen, por vjen koha e ndryshimeve dhe mundësive për kuadrot e shkathtë dhe profesional”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në disa dalje, por edhe në programin qeveritar, premton se duhet të shpërndahet Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve pasi kanë humbur besueshmërinë te qytetarët. Në program, shkruan se Qeveria do të iniciojë edhe ndryshime të Kushtetutës në pjesën e rregullimit të përbërjes së këshillave, gjatë së cilës do të kërkohet që anëtarët të zgjedhën nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve.

Kjo ide, ka përplasur kreun e qeverisë me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, të cilët, këtë masë e shohin si ndërhyrje direkte të pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit në vend theksohet se me një veprim të tillë qeveria do ta minonte pavarësinë e trupave që mbikëqyrin punën e gjykatësve dhe prokurorëve.

Exit mobile version