Site icon Telegrafi

“Maqedoni, pushteti në largim po fsheh shpërdorimet e bëra”

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit ka asgjësuar materiale të shumta të arkivit të periudhës 2002-2014, të cilat me automjete të posaçme, i janë dërguar një kompanie që merret me prodhimin e letrës dhe ambalazhit.

Shkatërrimi i dokumentacionit, përmbajtja e të cilit nuk dihet, është bërë me kërkesë të Arkivit Shtetëror, me të cilin udhëheq Filip Petrovski, një nga personalitetet më të ekspozuar në protestat kundër qeverisë së re, por edhe pjesëmarrës në pushtetin e Kuvendit nga protestuesit më 27 prill.

Arsyet e një veprimi të tillë nuk jepen, siç që nuk jepen as të dhënat mbi tërheqjen e shumë dokumenteve nga Ministria e Kulturës, duke ngritur kështu dyshime mbi qëllimin e bartjes së materialeve apo urdhërimin e shkatërrimit të tyre, siç njoftojnë mediat në Maqedoni.

Nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsioni heshtin lidhur me këto veprime, ndërsa ekspertët vlerësojnë se ato janë përpjekje për fshehjen e keqpërdorimeve të mundshme.

Sasho Ordanovski, nga organizata “Transparency Macedonia”, thotë se duke marrë parasysh punën e këtij komisioni, por edhe të organeve të tjera të obliguara me Kushtetutë për hetimin e të gjitha keqpërdorimeve, s’ka dilema siç thotë, se janë bërë krime të mëdha dhe tani tentojnë t’i fshehin gjurmët të frikësuar me faktin se megjithatë ndërrimtë pushtetit do të ketë.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit anti-korrupsion, thotë se faktet vështirë se mund të fshihen për shkak të lidhjes të tyre me më shumë institucione.

“Asgjësimi i dokumenteve nëpër institucione, është vështirë të bëhet pasi gjurmët e veprimit apo të funksionimit të institucioneve janë gjithandej. Kjo pasi institucionet janë të lidhura mes vete, ndërsa kanë edhe lëndë të përbashkëta, por edhe njohuri të ndërsjella posaçërisht për vepra kundërligjshme para së gjithash kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kurse, për elementet tjera apo nëse kanë fshehur diçka që nuk është bërë publike, apo që nuk është njoftuar opinioni, ata mund t’i fshehin por jo edhe për lëndët tjera nëse dëshiron dikush t’i hetojë ato”, thotë Musa.

Në aferën e përgjimit të bisedimeve telefonike të zyrtarëve të publikuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, janë dëgjuar biseda nga më të ndryshmet ndërmjet drejtuesve të institucioneve se si kurdisin biznese të ndryshme në favor të një grupi të ngushtë të tyre.

Për shumë lëndë kanë nisur procese gjyqësore, por asnjë prej tyre ende nuk ka marrë epilog gjyqësor.

Exit mobile version