Site icon Telegrafi

Maqedoni, programi ‘Garancë për të rinjtë’, mundësi për punësim për personat deri në moshën 29 vjeçare

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim dhe Këshillin kombëtar rinor të Maqedonisë e kanë filluar realizimin e projektit ‘Garancë për të rinjtë’, përcjell Telegrafi Maqedoni.

‘Garancë për të rinjtë’ është masë aktive për punësimin e të rinjve që realizohet në shtetet e BE-së nga viti 2012. Maqedonia do ta realizojë këtë program në fazë fillestare duke filluar nga ky vit.

Ky program iu garanton të rinjve se në periudhë prej 4 muaj pasi që ata të jenë paraqitur në Agjencinë për punësim, këshilltarët për karrierë do t’i udhëzojnë në njërën nga masat që ofron programi ‘Garancë për të rinjtë’.

Në këtë fazë prove të programit janë përfshirë komunat e Qytetit të Shkupit, Komuna e Strumicës dhe Komuna e Gostivarit. Kjo masë është e vlefshme për të gjithë personat e papunë deri në moshën 29 vjeçare, që kanë kryer arsimin (shkollë të mesme ose fakultet) dhe nuk janv të paraqitur në Agjencinë për Punësim të Republikës së Maqedonisë./Telegrafi/

Exit mobile version