Telegrafi

Maqedoni, përhapet fruthi- mjekët apelojnë për vaksinim

Prej paraqitjes së tij në shtator të vitit të kaluar, janë regjistruar rreth 600 raste. Ndonëse në fillim të prekur nga kjo sëmundje kishte vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Strumicë, tani fruthi i ka prekur edhe banorët e Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës. Gjatë javës së kaluar është regjistruar numri më i madh i të sëmurëve këtë sezon dhe pritet që numri i tyre të rritet.

“Sipas të dhënave, numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar gjatë javës së fundit, edhe atë 47 raste. Ky është sezoni i fruthit dhe pritet që gjatë kësaj periudhe të ketë një rritje të konsiderueshme të numrit të të sëmurëve”, ka thënë tha Blagoja Aleksovski nga Instituti i shëndetit publik.

Në Tetovë pas 12 vitesh për herë të parë janë regjistruar 14 raste të reja të prekur nga fruthi kurse në Gostivar numri i të sëmurëve ka shkuar në 15. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se të sëmurët nga Tetova kanë qenë në kontakt me personat nga fshati Radushë ku edhe filloi epidemia në Shkup.

“Deri tani kemi të regjistruar 14 raste me fruth, burimin e infeksionit e kanë nga regjioni i Radushës dhe fshatrat përreth, por kemi raste që nuk janë ose nuk jetojnë në Radushë, por kanë qenë për ndonjë arsye ose prejardhjen e kanë prej atje, kanë shkuar në vizitë”, ka deklaruar Halil Ismaili, specialist i sëmundjeve ngjitëse.

Te rreth 47 për qind e personave deri më tash të sëmurë në Maqedoni, janë regjistruar komplikime. Më të ekspozuar nga fruthi janë foshnjat dhe të rinjtë. Autoritetet shëndetësore bëjnë apel se mënyra e vetme për parandalim e këtij virusi është vaksinimi i cili për momentit nuk zbatohet sa duhet. Javën e fundit janë vaksinuar vetëm 1.100 persona. /Telegrafi/