Qeveria dhe ekspertët ekonomik janë duke përgatitur dy modele për stabilizimin e Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor. Analiza e ekipit profesionist ka treguar se “ilaçi” për arkën e Fondit është në rritjen e kontributeve dhe kufirit të moshës për dalje në pension.
“Nëse vendosim që barrën ta mbajë vetëm njëri grup, atëherë ne kemi nevojë për ndryshime më të mëdha. Për shembull, kontributet duhet të rriten prej 18 në 22% apo kufiri i moshës nga 62 dhe 64 siç është aktualisht, të jetë 64 dhe 66 vjet apo përfshirjet të jenë më të vogla, por nga ana tjetër barrën ta mbajnë të gjitha palët e prekura”, tha për Alsat M, ekspertja ekonomike Blagica Petreski.
Petreski thotë se nëse zbatohet ky model i kombinuar, në afat prej pesë deri dhjetë vite, do të stabilizohet gjendja në FSPI ndërsa shteti do të kishte mundësinë edhe t’i rrit pensionet sepse pritet edhe rritje e shkallës së punësisë. Analiza e ekspertëve ka vërtetuar edhe se deficiti i Fondit është bërë me masat anti- krizë të cilat i ndërmori qeveria e Nikola Gruevskit gjegjësisht si masë kundër krizës, nga 20 i uli përqindjet e kontributeve në 18 përqind.
“Ajo që është bërë, ka qenë e paqëndrueshme. Kur rriten pensionet, nuk mund të rritet kontributi ndërsa shteti është social kurse sistemi solidar. Dhe nuk mund të ketë 5% rritje paushall të pensioneve nëse nuk kemi kurrfarë rritje të pagave apo shpenzimeve të jetesës. Këto masa paushall do t’i shfuqizojmë ndërsa do të ketë pako masash tjera që do ta stabilizojnë Fondin”, deklaroi ministrja e Punës, Mila Carovska.
Për 16 vite, deficiti në FSPI është rritur për 22 miliardë denarë të plota. Nëse në vitin 2000, vrima në arkën e Fondit ka qenë 4 miliardë denarë, në vitin 2016, kjo shifër është 26 miliardë. Njëzet e gjashtë miliardë denarë është vrima buxhetore në Fondin e sigurimit pensional dhe invalidor, ose rreth 10% nga PBV-ja. Mungesën e këtyre mjeteve çdo vit e mbush Qeveria me mjete nga arka e shtetit. Pakoja e plotë me masa dhe hapa që do të ndërmerren, duhet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit.